Telegrafi
Mesfushori brazilian i Manchester Unitedit, Casemiro, ka arritur një marrëveshje paraprake me Inter Miamin për kushtet personale të një transferimi të mundshëm në MLS, sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare. 34-vjeçari pritet të nënshkruajë një kontratë që do ta mbajë te klubi amerikan deri në fund të vitit 2028, duke iu bashkuar projektit ambicioz të Inter Miamit. Megjithatë, transferimi ende nuk është finalizuar, pasi mbeten për t’u zgjidhur disa çështje administrative dhe organizative. Pengesa kryesore lidhet me LA Galaxy, klubi që zotëron të ashtuquajturat “Discovery Rights” për lojtarin brazilian. Në MLS ekziston një rregull i veçantë i njohur si Discovery Rights, i cili u lejon klubeve të rezervojnë të drejtën prioritare për të negociuar me futbollistë që nuk luajnë aktualisht në ligë dhe nuk kanë kontratë me MLS. Në rastin e Casemiros, LA Galaxy e ka regjistruar më herët emrin e tij në këtë listë, çka i jep përparësi në negociata brenda kampionatit amerikan. Për këtë arsye, Inter Miami duhet fillimisht të arrijë një marrëveshje me LA Galaxy përpara se të finalizojë transferimin e ish-yllit të Real Madridit. /Telegrafi/
Go to News Site