Telegrafi
Nga: Muhanad Seloom / Newsweek Përkthimi: Telegrafi.com Sulmi që vrau Ajatollah Ali Khamenein më 28 shkurt, filloi me një sekret amerikan. Sipas CBS News -it, inteligjenca e mbledhur gjatë muajve të tërë nga CIA dhe e ndarë me Izraelin, përcaktoi vendndodhjen e udhëheqjes së Iranit dhe hapi rrugën për breshërinë e parë të operacionit Furia Epike [Epic Fury]. Kryetari i Komitetit të Inteligjencës në Senat tha haptazi se operacioni u drejtua nga inteligjenca e mbledhur nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli. Mijëra raketat dhe dronët që Irani hodhi përtej Gjirit, në javët që pasuan, si dhe interceptorët që mbushën qiellin mbi Dubain, Bahrejnin dhe Dohën, ishin fundi i bujshëm dhe i dukshëm i një beteje të përcaktuar në heshtje. Lufta e vitit 2026 ishte një luftë e inteligjencës e veshur me kostumin e një fushate ajrore, ndërsa inteligjenca vendimtare ishte ajo amerikane. Merrni parasysh se çfarë kërkon vrasja e një kreu shteti. Për të arritur te Khamenei, një kundërshtar duhet të dijë se ku do të jetë një njeri, kur do të jetë atje, kush qëndron pranë tij dhe si të kryejë një goditje brenda pak minutave gjatë të cilave kjo njohuri mbetet e vlefshme. Ky është problemi i mbledhjes së informacionit dhe i burimeve njerëzore, i zgjidhur gjatë viteve dhe jo në çastin e fundit. Municioni është hapi i fundit, pothuajse i parëndësishëm. Inteligjenca është lufta. Më 28 shkurt, pjesa që kishte më shumë rëndësi, përcaktimi i vetë vendndodhjes së udhëheqjes, erdhi nga Shtetet e Bashkuara. Vetë kundërshtari kryesor i Iranit e tha këtë: Presidenti Donald Trump shkroi se Khamenei nuk mund t’u shpëtonte “inteligjencës sonë dhe sistemeve tona shumë të sofistikuara të gjurmimit”. - Lexo po ashtu nga Muhanad Seloom: Regjimi i Iranit shkatërroi mitin e vet - dhe nxiti fundin e tij të ngadaltë Ky kontribut amerikan u mbështet në mbi një dekadë të depërtimit të durueshëm nga aleati i tij më i afërt. Në vitin 2018, oficerët e Mossad-it nxorën gjysmë ton të arkivit bërthamor të Iranit nga një depo në Teheran. Në vitin 2020, fizikani Mohsen Fakhrizadeh u vra në një rrugë jashtë kryeqytetit nga një armë e operuar në distancë. Në korrik 2024, Ismail Haniyeh vdiq në një bujtinë qeveritare në zemër të Teheranit. Javë më vonë, mijëra pejxherë dhe radio që Hezbollahu i kishte futur përmes zinxhirit të vet të furnizimit, shpërthyen gjatë dy ditëve. Në luftën 12-ditore të qershorit 2025, Izraeli vrau komandantin e Gardës Revolucionare dhe shefin e forcave të armatosura - që në orët e para. Të marra së bashku, këto përshkruajnë një shtet të hapur nga brenda. Arritja amerikane e vitit 2026 ishte bashkimi i mbledhjes së vet të informacionit me këtë depërtim dhe fiksimi i vendndodhjes së udhëheqjes. Siç vuri në dukje David Petraeus, ish-drejtor i CIA-s, operacioni u udhëhoq nga inteligjenca e saktë dhe vrasja ishte produkti i saj. Ekziston një parim në studimin e inteligjencës sipas të cilit çdo dështim është njëkohësisht edhe sukses i armikut. Duke shkruar së fundmi për 7 tetorin e vitit 2023, pohova se një aktor i dobët dhe me mungesë burimesh ia kishte fshehur synimet e tij njërit prej shërbimeve më të afta në botë, pa përdorur asgjë më të jashtëzakonshme sesa disiplinën: siguri të rreptë operative, mbledhje të durueshme informacioni dhe burime njerëzore të vendosura aty ku kishin rëndësi. Lufta e vitit 2026 është po ky pohim i kthyer përmbys. Më 7 tetor, fshehja e mposhti zbulimin dhe të fortët u poshtëruan nga të dobëtit. Në vitin 2026, zbulimi e mposhti fshehjen dhe një regjim i mbyllur u gërrye prej kundërshtarëve që nuk mund t’i shihte. Të dy episodet janë fytyra të të njëjtit dyluftim, përballja midis palës që fsheh planet e saj dhe palës që i ndjek ato. Fuqia e zjarrit nuk zgjidh asgjë derisa ky duel të jetë vendosur. Pse Irani ishte kaq i depërtueshëm? Përgjigjja refleksive është se regjimi është një shtet i gjerë i mbikëqyrjes dhe se shtetet e mbikëqyrjes janë të vështira për t’u spiunuar. Kjo përgjigje ngatërron një aftësi me një tjetër. Një shtet mund të mbikëqyrë popullin e vet me intensitet të madh dhe megjithatë të mbetet në mënyrë shkatërrimtare i ekspozuar ndaj një shërbimi të aftë të huaj, sepse mbikëqyrja dhe kundërzbulimi janë zanate të ndryshme. Represioni drejtohet nga brenda. Kundërzbulimi drejtohet nga jashtë. Irani ndërtoi një makineri të frikshme për të parën dhe supozoi se, me këtë, kishte ndërtuar edhe të dytën. Makineria ishte gjithashtu e ndarë kundër vetvetes. Inteligjenca iraniane është e ndarë midis Ministrisë së Inteligjencës dhe aparatit paralel të Gardës Revolucionare, dy shërbime që nuk i besojnë njëri-tjetrit dhe konkurrojnë për epërsi. Rivaliteti i këtij lloji gërryen sigurinë e një shteti. Ai hap çarje, boshllëqe midis institucioneve ku përgjegjësia bëhet e paqartë dhe ku një kundërshtar i durueshëm vendoset. Një agjent i drejtuar kundër njërit shërbim është një agjent që tjetri ka arsye ta shpërfillë. Pastaj është cenueshmëria më e thellë, ajo që analiza e inteligjencës priret ta humbasë, sepse i përket studimit të pushtetit dhe jo mjeshtërisë së spiunazhit. Autoriteti në Iran është jashtëzakonisht i centralizuar. Vendimi përfundimtar qëndron te udhëheqësi suprem dhe te një qark i ngushtë rreth tij. Sistemi i ndërtuar në këtë mënyrë është efikas për kontrollin dhe i brishtë përballë eliminimit të udhëheqjes, sepse një pjesë kaq e madhe e aftësisë së tij për të vepruar është e përqendruar te disa njerëz të pazëvendësueshëm. Hiqe nyjën dhe rrjeti bllokohet. Kjo është karakteristika që e bën një regjim të centralizuar më të lehtë për t’u paralizuar sesa një regjim të shpërndarë. Hamasi, pavarësisht gjithë dobësisë së tij, i mbijetoi vrasjes së udhëheqësve të tij sepse autoriteti përbrenda është i shpërndarë dhe i mbivendosur. Përqendrimi i komandës në Iran ishte njëkohësisht burimi i forcës së tij dhe forma e cenueshmërisë së tij. Depërtimi dhe eliminimi i udhëheqjes janë më vdekjeprurës kur kombinohen, dhe Irani ia ofroi kundërshtarit njëkohësisht një derë të hapur dhe një dhomë të vetme ku ia vlente të hyhej. Ajo që po shpaloset tani brenda Iranit e konfirmon këtë diagnozë. Që nga lufta, Garda ka arrestuar qindra persona nën dyshimin se kanë spiunuar për Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara, dhe ka ekzekutuar ata që i shpall fajtorë - në një fushatë të cilën grupet e të drejtave të njeriut e dënojnë si represion me një emër tjetër. Shteti e cilëson këtë si një çmontim të një rrjeti të gjerë. Vetë përmasat e spastrimit janë pranim: një regjim që nuk di më kujt t’i besojë, duke goditur jashtë sepse nuk mund të shohë brenda. Kur një shërbim nuk është më në gjendje të dallojë një tradhtar të vërtetë nga një i përshtatshëm, gjuetia pushon së mbrojturi atë dhe fillon ta përpijë. Çdo pranim i detyruar shton zhurmën. Çdo oficer besnik i larguar nën dyshim, është një dhuratë për kundërshtarët që spastrimi synon të dëbojë. Këtu ka një mësim për Shtetet e Bashkuara dhe ai është më i dobishëm sesa një paradë fitoreje. Pas një lufte në të cilën mbrojtjet ajrore të Gjirit goditën shumicën dërrmuese të asaj që u lëshua kundër tyre, tundimi në Uashington dhe në Gji është t’i përgjigjen pasigurisë me më shumë çelik dhe më shumë softuer: interceptorë shtesë, mbrojtje e shtresëzuar raketore, inteligjencë artificiale e integruar në zinxhirin e goditjes. Këto aftësi kanë rëndësi. Por, kjo luftë u fitua përpara interceptorëve, përmes mbledhjes së informacionit dhe burimeve njerëzore - valuta që nuk mund të blihet në shkallë të gjerë dhe të cilën asnjë rival nuk mund ta barazojë shpejt. Ky është avantazhi amerikan dhe ai që ia vlen të ruhet. Ai është gjithashtu i përkohshëm. Regjimi i depërtuar kaq gjerë rindërtohet ndryshe. Ai do ta shpërndajë autoritetin, do t’i largojë vendimet e tij më të ndjeshme nga çdo rrjet që një kundërshtar mund të prekë, do t’u rikthehet metodave tepër të vjetra për t’u përgjuar dhe do ta rindërtojë kundërzbulimin e vet mbi supozimin se tashmë është i komprometuar. Përballja e ardhshme me Iranin do të nisë nga kjo gjendje e re dhe edhe ajo do të vendoset në errësirë, shumë kohë para se dikush të zgjasë dorën drejt një rakete. Monumentet e luftës së vitit 2026 do të jenë ato që mund t’i fotografojmë: interceptorët mbi Gjirin Persik, krateret në Teheran, procesionet mortore. Beteja e saj vendimtare nuk la asnjë dëshmi të tillë. Ajo u zhvillua nga njerëz emrat e të cilëve nuk do të bëhen kurrë publikë, në një përballje që nuk prodhoi asnjë pamje filmike - dhe që ishte amerikane. Ajo kishte përfunduar përpara se flaka e parë të ndriçonte qiellin. /Telegrafi/
Go to News Site