Collector
Giriş Yap
Të enjten nis edicioni i tretë i “Peja Outdoor Festival”, mbi 40 aktivitete në Pejë dhe Rugovë | Collector
Të enjten nis edicioni i tretë i “Peja Outdoor Festival”, mbi 40 aktivitete në Pejë dhe Rugovë

Të enjten nis edicioni i tretë i “Peja Outdoor Festival”, mbi 40 aktivitete në Pejë dhe Rugovë

Nga 11 deri më 14 qershor 2026 do të mbahet edicioni i tretë i “Peja Outdoor Festival”, një ngjarje që konsiderohet si festivali i parë i këtij lloji në Kosovë i dedikuar aktiviteteve outdoor, rekreacionit, mirëqenies dhe turizmit aktiv. Gjatë katër ditëve të festivalit në Pejë dhe në Rugovë do të organizohen mbi 40 aktivitete sportive, rekreative, edukative dhe kulturore, duke përfshirë ecje malore, çiklizëm, vrapim, ngjitje, paragliding, speleologji, aktivitete për fëmijë, punëtori tradicionale dhe programe edukative për grupmosha të ndryshme. Organizatorët kanë bërë të ditur se festivali synon promovimin e Pejës dhe rajonit të Rugovës si destinacion për turizëm aktiv, duke ofruar mundësi që qytetarët dhe vizitorët të përjetojnë natyrën, aktivitetin fizik dhe kulturën lokale në mënyrë gjithëpërfshirëse. “Festivali është krijuar me qëllim të promovimit të Pejës dhe rajonit të Rugovës si destinacion i turizmit aktiv, duke ofruar mundësi që qytetarët dhe vizitorët të përjetojnë natyrën, aktivitetin fizik dhe kulturën lokale në një mënyrë të qasshme dhe gjithëpërfshirëse”, thuhet në njoftimin e organizatorëve. Sipas tyre, shumica e aktiviteteve ofrohen pa pagesë ose me tarifa simbolike, si rezultat i angazhimit të komunitetit lokal, partnerëve, organizatave dhe dhjetëra vullnetarëve. “Kjo është bërë e mundur falë angazhimit të komunitetit lokal, partnerëve, organizatave dhe dhjetëra vullnetarëve, me qëllim që aktivitetet outdoor të jenë të qasshme për sa më shumë njerëz, veçanërisht për të rinjtë, familjet dhe ata që për herë të parë dëshirojnë të provojnë një aktivitet në natyrë”, thuhet më tej. Organizatorët theksojnë se festivali është ndërtuar mbi bashkëpunimin e komunitetit lokal, përfshirë shoqatat sportive, guidat malore, bizneset dhe vullnetarët, të cilët kanë kontribuar në krijimin e një programi të hapur dhe të larmishëm. Një nga risitë kryesore të këtij edicioni është organizimi i garës së parë “Peja Trail Run”, e cila do të mbahet më 14 qershor dhe pritet të mbledhë rreth 300 pjesëmarrës nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme të botës, në dy kategori: 10 dhe 23 kilometra. “Përveç aspektit sportiv, kjo garë synon të promovojë potencialin e Bjeshkëve të Nemuna dhe Pejës si destinacion për turizëm sportiv dhe aktiv”, thuhet në njoftim. Hapja zyrtare e festivalit do të mbahet më 11 qershor nga ora 20:30 në Mullirin e Haxhi Zekës në Pejë, ku do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, Komunës së Pejës, shoqatave sportive, guidave malore, bizneseve lokale dhe vullnetarëve. Organizatorët kanë bërë të ditur se agjenda e plotë e festivalit dhe broshura me të dhëna nga edicioni i kaluar janë bashkëngjitur për publikun. /Telegrafi/

Go to News Site