Telegrafi
Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami e cila aktualisht është në mesin e më të votuarve në LDK në zgjedhjet e 7 qershorit theksoi se mosdalja në votime e qytetarëve është mesazh për secilin politikan. Bajrami në një postim në Facebook shkruan se rezultati i këtyre zgjedhjeve është thirrje për reflektim të thellë. “Dhe rezultati i këtyre zgjedhjeve është thirrje për reflektim sepse, nëse duam të jemi të sinqertë me veten, qartazi diku ia kemi huqur”, shkruan ajo. Lexoni t ë plotë postimin e Bajramit: Qytetarët folën. Folën fort. Të zëshëm ishin edhe ata që nuk votuan fare! Faleminderit nga zemra të gjithë atyre që votuan LDK-në dhe na besuan. Faleminderit njerëzve tanë në struktura që punuan ditë e natë. Mosdalja në votime është po ashtu një mesazh i qartë për secilin prej nesh. E lexoj këtë rezultat si protestë qytetare! Abstenimi i tyre është thirrje për reflektim dhe llogaridhënie se pse erdhëm në situatën ku mbajmë zgjedhje për të shkuar përsëri në zgjedhje. Pa asnjë dyshim, shumë qytetarë ndëshkuan partinë që kishte 51 për qind, e cila e keqpërdori, përbuzi dhe nuk e zbatoi vullnetin e popullit. Njëkohësisht, edhe neve na thanë qartë se duhet më shumë punë, më shumë seriozitet dhe më shumë përkushtim që të na shohin si zgjidhje. Secili e ka kuptuar se tri palë zgjedhje u mbajtën jo për shkak të mospajtimeve: nëse duhet të prodhojmë apo të importojmë energji, jo sepse nuk u pajtuam për programe zhvillimore, por sepse tema qendrore u bë: kush ku do të ulet. Përfundimisht, është koha të mendojmë përtej karrigeve. Dhe rezultati i këtyre zgjedhjeve është thirrje për reflektim sepse, nëse duam të jemi të sinqertë me veten, qartazi diku ia kemi huqur. Lidhja Demokratike e Kosovës është më shumë se një palë zgjedhje, më shumë se një rezultat dhe më shumë se një episod politik, andaj duhet reflektim i thellë për tu rikthyer më e fortë. /Telegrafi/
Go to News Site