Collector
Giriş Yap
Raporti i DnV-së: Zgjedhje të qeta, por me më pak entuziazëm për shkak të “lodhjes zgjedhore” | Collector
Raporti i DnV-së: Zgjedhje të qeta, por me më pak entuziazëm për shkak të “lodhjes zgjedhore”

Raporti i DnV-së: Zgjedhje të qeta, por me më pak entuziazëm për shkak të “lodhjes zgjedhore”

Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” (DnV) ka vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit janë zhvilluar në përputhje me standardet demokratike, por janë shoqëruar me një pjesëmarrje më të ulët të qytetarëve, si pasojë e asaj që e cilëson si “lodhje zgjedhore”. Në Deklaratën Preliminare të publikuar të martën, DnV thekson se procesi zgjedhor ishte i lirë, konkurrues dhe i qetë. “DnV vlerëson se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026 u zhvilluan përgjithësisht në përputhje me standardet demokratike për zgjedhje të lira, konkurruese dhe të qeta”, thuhet në raport. Sipas koalicionit, këto zgjedhje u mbajtën në një kontekst të pazakontë politik, pasi ishin procesi i tretë zgjedhor në nivel vendi brenda rreth 16 muajve. “Në krahasim me proceset e fundit zgjedhore, fushata dhe Dita e Zgjedhjeve u karakterizuan nga një lodhje zgjedhore e manifestuar në riciklim të ofertave të kaluara politike dhe në ulje të motivimit qytetar për pjesëmarrje në zgjedhje”, vlerëson DnV. Koalicioni ka vlerësuar pozitivisht punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke theksuar se shumica e operacioneve zgjedhore janë administruar në mënyrë profesionale dhe brenda afateve ligjore. “Puna e KQZ-së u karakterizua nga më pak përplasje politike dhe një proces vendimmarrës më funksional”, thuhet në deklaratë. Megjithatë, DnV ka kritikuar disa vendime të KQZ-së, duke përmendur lejimin e identifikimit të votuesve jashtë Kosovës me dokumente të skaduara, vendim që më pas u anulua nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Sa i përket fushatës zgjedhore, DnV vlerëson se ajo u zhvillua në një ambient të qetë dhe konkurrues, por ngre shqetësime për ndikimin e disa vendimeve të Qeverisë në detyrë. “Vendimet e Qeverisë në detyrë për ndarjen e pagesave të njëhershme financiare për kategori të ndryshme të qytetarëve dhe subvencionimin e linjave ajrore për mërgatën në prag të zgjedhjeve krijuan ndikim në ambientin zgjedhor dhe cenonin perceptimin e barazisë së garës ndërmjet konkurrentëve politikë”, theksohet në raport. DnV ka vlerësuar se dita e zgjedhjeve kaloi pa incidente serioze, por ka evidentuar vështirësitë e votuesve për të gjetur vendvotimet, problemet me qasjen për personat me aftësi të kufizuara dhe rastet e fotografimit të fletëvotimeve. Një prej zhvillimeve pozitive, sipas DnV-së, ishte ulja e ndjeshme e votimit me asistencë. “Të dhënat e DnV-së tregojnë se zbatimi më i rreptë i rregullave për këtë formë votimi ka ndikuar dukshëm në uljen e rasteve të evidentuara krahasuar me proceset e mëparshme zgjedhore”, thuhet në deklaratë. Në përfundim, DnV vlerëson se zgjedhjet e 7 qershorit u zhvilluan në një ambient demokratik dhe të qetë, por thekson se mbeten disa çështje që duhet të adresohen në proceset e ardhshme zgjedhore. /Telegrafi/

Go to News Site