Telegrafi
Gjatë procesit të fundit zgjedhor, është raportuar për ndikim dhe presion nga Beogradi ndaj komunitetit serb në Kosovë, me synim orientimin e votës në favor të Listës Serbe. Njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami ka deklaruar se institucionet e Serbisë kanë përdorur mekanizma shtetërorë për të ndikuar në sjelljen elektorale të qytetarëve serbë në Kosovë. “Ndikimi i Beogradit në zgjedhjet e Kosovës: Presioni mbi komunitetin serb”, ka shkruar Islami. Sipas tij, Agjencia Serbe e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) është aktivizuar në pikat kufitare, ku janë ndaluar dhe marrë në pyetje qytetarë serbë. “Përmes ndalimit dhe marrjes në pyetje të dhjetëra qytetarëve serbë, ky aparat sigurie ushtroi presion të hapur mbi zërat kritikë dhe kundërshtarët e Listës Serbe”, thuhet në deklaratë. Ai shton se qytetarëve u janë dhënë mesazhe paralajmëruese lidhur me mbështetjen e subjekteve opozitare serbe. “Zyrtarët e BIA-s u dhanë mesazhe të qarta qytetarëve: çdo mbështetje për partitë opozitare serbe ose kundërshtim i vijës politike të Beogradit do të pasohej me pengesa dhe kufizime të lirisë së tyre të lëvizjes”, thuhet më tej. Sipas Islamit ndërhyrjet e tilla synojnë të ndikojnë në proceset demokratike në Kosovë dhe të favorizojnë Lista Serbe si subjekt politik. /Telegrafi/
Go to News Site