Telegrafi
Mason Greenwood është një hap larg transferimit në Serie A. Sulmuesi anglez ka arritur marrëveshje për kushtet personale me Romën, duke i afruar edhe më shumë palët drejt finalizimit të një prej transferimeve më të bujshme të verës. Sipas raportimeve të "Corriere dello Sport", klubi kryeqytetas dhe futbollisti kanë gjetur gjuhën e përbashkët për kontratën, me Romën që është gati t'i ofrojë një pagë neto prej katër milionë eurosh në sezon, përfshirë bonuset. Roma tashmë është në pozitën e favoritit për nënshkrimin e 24-vjeçarit, duke lënë pas Fenerbahçen, e cila gjithashtu kishte shfaqur interes serioz për ish-sulmuesin e Manchester Unitedit. Trajneri Gian Piero Gasperini e sheh Greenwoodin si një nga figurat kyçe të projektit të tij dhe dëshiron ta bëjë lider të repartit ofensiv për sezonin e ardhshëm, kur verdhekuqtë do të garojnë edhe në Ligën e Kampionëve. Megjithatë, mbetet ende për t'u arritur marrëveshja mes klubeve. Roma po përgatit një ofertë prej rreth 40 milionë eurosh, ndërsa Marseille kërkon afërsisht 55 milionë euro për kartonin e sulmuesit anglez. Klubi francez është i gatshëm të dëgjojë ofertat pasi synon të sigurojë fonde për përforcime të reja gjatë merkatos verore, ndërsa Greenwood konsiderohet një nga asetet më të vlefshme që mund të sjellë të ardhura të konsiderueshme. 24-vjeçari ka shkëlqyer me fanellën e Marseille në dy sezonet e fundit, duke regjistruar 48 gola dhe 17 asistime në 81 paraqitje, statistika që e kanë bërë një nga lojtarët ofensivë më të spikatur në Ligue 1. Nëse klubet arrijnë marrëveshje për shumën e transferimit, Greenwood do të bëhet një nga përforcimet më të rëndësishme të Romës për sezonin e ri. /Telegrafi/
Go to News Site