Telegrafi
Gërhitja gjatë natës është një problem i shpeshtë, por jo gjithmonë duhet parë vetëm si shqetësim i zakonshëm. Në disa raste, ajo mund të lidhet me pengesa në frymëmarrje, probleme me hundën, bajamet apo ndryshime të tjera në rrugët e frymëmarrjes. Gjatë podcastit “Shëndeti në rend të parë”, i përkrahur nga United Hospital , otorinolaringologu Kujtim Kastrati foli për gërhitjen dhe mënyrën se si duhet vlerësuar ky problem nga ana mjekësore. Sipas tij, gërhitja është më komplekse sesa duket dhe në shumë raste mund të trajtohet, por fillimisht duhet zbuluar shkaku. “Gërhitja është më komplekse. A mund të zgjidhet? Po, mund të zgjidhet”, tha Kastrati. Ai shpjegoi se kur një pacient paraqitet me ankesa për gërhitje, kontrolli i parë duhet të nisë nga hunda. Sipas tij, pengesat në frymëmarrje përmes hundës mund të ndikojnë drejtpërdrejt në gërhitjen gjatë natës. “Gjëja e parë që duhet të shohim është hunda”, u shpreh ai. Kastrati tha se devijimi i septumit nazal, deformimet e hundës nga traumat, si dhe problemet si riniti alergjik apo riniti vazomotorik mund të jenë disa nga shkaqet që ndikojnë në këtë problem. Fëmija ndalon frymëmarrjen në gjumë? Otorinolaringologu, Kastrati: Apnea është urgjencë “Në qoftë se kemi devijime të septumit nazal, deformime të hundës nga traumat, apo problematikën e riniteve alergjike apo vazomotorike, gjëja e parë është të zgjidhet problematika e hundës”, theksoi ai. Megjithatë, sipas doktorit, jo gjithmonë gërhitja zgjidhet vetëm me trajtimin e hundës. Në disa raste, shkak mund të jenë bajamet e rritura apo infeksionet e vazhdueshme të tyre. “Ka raste në të cilat nuk zgjidhet vetëm hunda. Për shkak të infeksioneve të vazhdueshme të bajameve kronike, bëhet rritja e tyre, e cila bllokon një pjesë të hapësirës”, tha Kastrati. Ai shtoi se te pacientët që kanë gërhitur për një kohë të gjatë mund të ndodhin edhe ndryshime në qiellzën e butë dhe uvulë, të cilat mund të kontribuojnë në bllokimin e rrugëve të frymëmarrjes gjatë gjumit. Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”: - YouTube www.youtube.com
Go to News Site