Telegrafi
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se zhvilloi një bisedë telefonike me Steve Witkoff dhe Jared Kushner, përfaqësues të presidentit të Shteteve të Bashkuara. "Sot, gjatë një ndalese në Aeroportin e Kishinau-t, fola me të dërguarit e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Një bisedë shumë pozitive”, shtoi presidenti ukrainas, transmeton Telegrafi. “Jam mirënjohës për gatishmërinë e tyre për të punuar sa më aktivisht të jetë e mundur në javët e ardhshme për të rigjallëruar diplomacinë që synon t'i japë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës", theksoi ndër tjera ai. Zelensky shtoi se pjesa më e madhe e vëmendjes së botës është aktualisht e përqendruar në zhvillimet rreth Iranit, por theksoi se "qëllimi ynë i përbashkët për paqen në Evropë mbetet në agjendë". "Diskutuam perspektivat në kontekstin e Samitit të G7 dhe ngjarjeve të tjera në qershor. Përshkrova të dhënat që kemi në lidhje me atë që Moska synon. Jam mirënjohës për fjalët e respektit për ukrainasit dhe vlerësimin pozitiv të qëndrimeve të Ukrainës. Faleminderit, Amerikë! Faleminderit Moldavisë për mikpritjen", tha për fund. /Telegrafi/
Go to News Site