Telegrafi
Ministria e Ekonomisë do të financojë ndërtimin e një rezervuari të ri të ujit dhe modernizimin e stacionit të pompimit në njësinë e Malishevës, në kuadër të investimeve për përmirësimin e furnizimit me ujë për qytetarët e kësaj komune. Marrëveshja për realizimin e projektit u nënshkrua nga kryeshefi ekzekutiv i kompanisë, Bekim Gashi, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe drejtori i Njësisë për Monitorim të Ndërmarrjeve Publike, Dëfrim Pllashniku. Projekti parasheh ndërtimin e një rezervuari të ri me kapacitet prej 1,000 metrash kub ujë, duke e rritur kapacitetin total akumulues nga 720 metra kub në 1,720 metra kub. Gjithashtu, do të modernizohet nënstacioni i pompimit në fshatin Banjë, ku do të instalohen tri pompa të reja me fuqi prej 75 kilovatësh secila. Vlera totale e investimit është 315 mijë euro dhe do të mbulohet nga Ministria e Ekonomisë. Sipas njoftimit, projekti do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e kapacitetit akumulues të ujit, duke stabilizuar furnizimin për qytetin e Malishevës dhe fshatrat që furnizohen nga burimi i ujit në fshatin Banjë. Po ashtu, instalimi i pompave të reja pritet të rrisë kapacitetin pompues të sistemit, ndërsa njëkohësisht do të sjellë ulje të konsiderueshme të konsumit të energjisë elektrike. Ky investim përbën fazën e parë të studimit të fizibilitetit për furnizimin me ujë të Komunës së Malishevës. Projekti është paraparë të realizohet në katër faza dhe synon të ofrojë një zgjidhje afatgjatë për furnizimin me ujë të kësaj komune.
Go to News Site