Telegrafi
Remzi Rexhepi, Burim Duriqi, Besim Ismajli, Denis Sharapolli dhe Ilir Bojniku janë pesë personat që u arrestuan në aksionin e sotëm, 09.06.2026, të Prokurorisë Speciale, të udhëhequr nga prokurori Fatos Ajvazi. Rasti i koduar si “White Star” është vazhdimësi e operacionit tjetër që ishte zhvilluar vitin e kaluar “Qielli i Thyer”, që ndërlidhet me përgjimet në aplikacionin “Sky ECC”. KALLXO mëson se të arrestuarit e sotëm nuk kanë role udhëheqëse, por janë pjesë e grupeve të mëparshme që janë identifikuar si pjesëtarë të atyre grupeve dhe tashmë janë në paraburgim. Aksioni i sotëm që nisi në orët e hershme të mëngjesit është zhvilluar në Prishtinë, Pejë, Prizren, Viti dhe Drenas, në kuadër të hetimeve për një rast që lidhet me krimin e organizuar, trafikimin e narkotikëve dhe pastrimin e parave. Pesë të arrestuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit special nën dyshimin për veprat penale – pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar, -blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, si dhe -pastrimi i parave. Gjatë bastisjeve në lokacionet e dyshuara, autoritetet kanë sekuestruar armë, para, automjete dhe pajisje elektronike që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal. Sipas njoftimit, janë sekuestruar gjashtë armë, pesë karikatorë, 239 fishekë, 9.67 gramë kokainë dhe 35.18 gramë fara të marihuanës. Po ashtu, Policia ka konfiskuar 7,595 euro para të gatshme, 10 automjete, një motoçikletë, 25 telefona mobilë, 10 kompjuterë, 13 USB, një DVR dhe 16 orë dore. Në operacion kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të EUROPOL-it, si dhe autoritete nga Belgjika, Franca dhe Holanda, të cilët bashkë me prokurorin e rastit kanë monitoruar zhvillimin e aksionit. Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë deklaruar se do të vazhdojnë bashkëpunimin institucional dhe veprimet e koordinuara në luftimin e krimit të organizuar, trafikimit të narkotikëve dhe pastrimit të parave, me qëllim forcimin e sundimit të ligjit në vend. Dosja e personave të arrestuar në aksionin paraprak të koduar “Qielli i Thyer” tregonte se si përmes rrugëve detare ishte bartur droga e cila porositej në Iran, Turqi e Ekuador. Bartja bëhej nga grupet e dyshuara tashmë të identifikuara nga përgjimet në aplikacionin SkyEcc. Tutje dosja përshkruan se droga fillimisht u porosit në shtete të Amerikës së Jugut, Iranit e Turqisë, e më pas u soll në Kosovë – për t’u transportuar sërish në vende të Bashkimit Europian. I gjithë rasti i cili rezultoi me dhjetëra të arrestuar, me vetura të sekuestruara, mijëra mijë euro të ngrira nga banka, mijëra euro “cash”, e sekuestrim të dhjetëra dokumenteve erdhi pas një hetimi disamujor të Policisë së Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale. Gjatë vitit 2024-2025, Prokuroria Speciale kishte pranuar disa transkripta të përgjimeve të ‘SkyECC’ nga Franca, EUROPOL dhe po ashtu edhe nga Belgjika përmes bashkëpunimit të Kosovës me Agjencinë e Bashkimit Europian për Zbatimin e Ligjit- EUROPOL. Në bazë të raporteve në vitin 2021 pas një hetimi të një rasti nga Belgjika dhe Franca në një operacion policor përveç drogave dhe dëshmive të tjera ishte arritur edhe gjurmohet një server i ‘SkyECC’. Gjatë dekriptimit të të dhënave në këtë aplikacion është kërkuar edhe që në hetim të jetë edhe Kosova.
Go to News Site