Telegrafi
Eurodeputetja belge Kathleen Van Brempt ka deklaruar se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk konsiderohet më nga Bashkimi Evropian si garant i stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, duke vlerësuar se besimi i Brukselit ndaj tij është zbehur ndjeshëm. Në një intervistë për median malazeze “Vijesti”, Van Brempt komentoi incidentin e fundit në Aeroportin e Tivatit, ku një aeroplan çarter me 87 burra nga Serbia mbërriti në Mal të Zi dhe më pas u kthye menjëherë në Beograd. Sipas saj, ngjarja është tregues i pozitës së vështirë në të cilën ndodhet Vuçiq dhe qeveria e tij. “Nëse nuk do të kishin qenë ata 87 burra në aeroplan, do të kishte ndodhur diçka tjetër. Kjo tregon se sa e vështirë është situata për Vuçiçin dhe pushtetin e tij”, deklaroi ajo. Van Brempt tha se presidenti serb është mësuar të ushtrojë ndikim të madh në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Malin e Zi, duke pretenduar se ai ka përdorur këtë ndikim për të nxitur ndarje etnike, nacionalizëm dhe ndjenja anti-evropiane. Ajo theksoi se në institucionet evropiane ka ekzistuar për vite me radhë bindja se Vuçiç nuk ishte modeli i demokracisë që dëshironte BE-ja, por se konsiderohej si faktor stabiliteti në rajon. “Për një kohë të gjatë ekzistonte mendimi se ai nuk është demokrati që do të donim, por se është garant i stabilitetit dhe se alternativa do të ishte kaosi. Kjo ka marrë fund tani. Ai e ndjen dhe e di këtë”, u shpreh eurodeputetja. Sipas saj, as presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nuk beson më në narrativën se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor varet nga Vuçiqi. Van Brempt shtoi se anëtarësimi i ardhshëm i Malit të Zi në Bashkimin Evropian do të rrëzonte më tej pretendimet e Beogradit se BE-ja nuk është e interesuar për zgjerimin në Ballkanin Perëndimor, duke nënvizuar se perspektiva evropiane e rajonit mbetet prioritet i Brukselit./Telegrafi.
Go to News Site