Collector
Kurti kujton masakrën e Izbicës: U ekzekutuan 147 shqiptarë të pafajshëm | Collector
Kurti kujton masakrën e Izbicës: U ekzekutuan 147 shqiptarë të pafajshëm
Telegrafi

Kurti kujton masakrën e Izbicës: U ekzekutuan 147 shqiptarë të pafajshëm

Në përvjetorin e masakrës së Izbicës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kujtoi njërën nga plagët më të rënda të luftës në vend. Në një postim në Facebook, Kurti përkujton se më 28 mars 1999, forcat e armatosura serbe rrethuan fshatin Izbicë të Skenderajt, ku pas ndarjes së burrave nga gratë dhe fëmijët, u ekzekutuan 147 shqiptarë të pafajshëm. Ai përmendi rastin tragjik të dy grave të moshuara, të cilat u dogjën të gjalla në rimorkion e traktorit. Kryeministri theksoi se trupat e viktimave u zhvarrosën dhe u fshehën në varreza masive në Kosovë dhe Serbi, duke tentuar të zhdukeshin gjurmët e krimit. Edhe sot, tha Kurti, ka varre të zbrazëta dhe familje që presin drejtësi. “Kujtojmë viktimat dhe qëndresën e familjarëve, të cilët dëshmuan në Tribunalin Ndërkombëtar për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi”, tha Kurti, duke shtuar se plagët e së kaluarës mbeten të hapura derisa autorët nuk përballen me drejtësinë. Ai theksoi obligimin institucional dhe moral të Republikës së Kosovës për të vazhduar kërkimin e drejtësisë, ndëshkimin e përgjegjësve dhe nderimin e dinjitetit të çdo viktime. “Lavdi martirëve të Izbicës! I paharruar qoftë kujtimi për ta”, shkruan Kurti.

Go to News Site