Telegrafi
Përdorimi i nuancave të afërta në mure, tavan dhe profile dekorative krijon efekt të rafinuar dhe elegant Zgjedhja e ngjyrës për muret mund të jetë sfiduese. Mënyra se si i lyeni muret përcakton tonin e gjithë hapësirës, qoftë një nuancë e bardhë apo ngjyra më të guximshme dhe më të errëta si jeshilja e thellë apo bluja. Gjatë viteve të fundit, “color drenching”, ku çdo sipërfaqe në dhomë lyhet me të njëjtën ngjyrë, ka qenë një teknikë shumë e përdorur nga dizajnerët. Kjo qasje mund ta bëjë hapësirën të duket më e madhe, më dramatike dhe më e ngrohtë. Por a keni dëgjuar për “color capping”? Është një “i afërm” i kësaj teknike dhe po shfaqet gjithnjë e më shpesh në shtëpi. Vazhdoni të lexoni për të mësuar më shumë rreth këtij trendi dhe nëse ia vlen ta provoni, transmeton Telegrafi. Çfarë është “color capping”? Te “color drenching”, gjithçka, nga tavani te profile dekorative dhe muret, lyhet me të njëjtën ngjyrë. Ndërsa te “color capping”, përdoren nuanca shumë të afërta për të krijuar dallime të lehta në hapësirë. Për shembull, tavani mund të ketë një variant, profilet dekorative një tjetër dhe muret një të tretë. “Color capping” ju lejon të punoni brenda një familjeje ngjyrash, duke krijuar kontrast të lehtë. Për shembull, mund të përdorni një nuancë më të thellë në listela dhe ta zbusni atë në 25 ose 50 për qind për muret. Në këtë mënyrë, paleta mbetet e harmonizuar, ndërsa hapësira fiton një pamje më të pasur dhe me shtresa, thotë Jess Ebert, pronare e një studioje dizajni. Përdorimi i toneve dhe intensiteteve të ndryshme sjell dinamizëm në hapësirë, shton Katie Hilburn, dizajnere. “Color capping” e përfshin hapësirën, por njëkohësisht ruan ndjesinë e hapjes. Tavani mund të duket më i lartë dhe, duke luajtur me tonet, shikimi drejtohet natyrshëm lart, thotë ajo. A është “color capping” teknikë e re? “Color capping” është përdorur prej vitesh nga dizajnerët. Më parë nuk kishte një emër të caktuar, por tani po bëhet gjithnjë e më popullor, thotë Hilburn. Dizajnerja Meredith Stern thekson se, edhe pse termi është i ri, teknika është e vjetër. Është një teknikë klasike e pikturimit, me rrënjë në dizajnin italian dhe pikturën murale. Duke përdorur nuanca të ndryshme për tavanin, muret dhe profile dekorativet, krijohet iluzion i thellësisë, lartësisë dhe dimensionit, ka shkruar ajo. /Telegrafi/
Go to News Site