Telegrafi
Përdorimi i tepërt i telefonit është kthyer në një nga faktorët më të zakonshëm që ndikon negativisht në shëndetin e sistemit muskulor dhe skeletor. Kështu ka theksuar ortopedi Qerim Kida në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital , duke ngritur shqetësimin për ndikimin e teknologjisë në jetën e përditshme. Sipas tij, telefoni, ndonëse është bërë pjesë e domosdoshme e jetës moderne, në aspektin ortopedik mund të konsiderohet “një prej armiqve të fshehtë” të trupit. “Është një prej armiqve, ndoshta në mënyrë të pavërejtur në jetën tonë të përditshme”, tha Kida. Ai shpjegon se problemet më të shpeshta lidhen me mungesën e aktivitetit fizik dhe përdorimin e zgjatur të pajisjeve mobile, veçanërisht tek personat me stil jetese sedentare. “Përdorimi i gjatë i telefonit manifestohet me ndryshime në boshtin e kurrizit, veçanërisht në pjesën e qafës”, theksoi ai . Një nga sindromat më të zakonshme që lidhet me këtë fenomen është ajo që njihet si “text neck”, e cila shoqërohet me dhimbje, marramendje dhe çrregullime të ekuilibrit. “Personat mund të kenë marramendje, dhimbje dhe çrregullime të ekuilibrit, si pasojë e përdorimit të gjatë të telefonit”, shpjegoi ortopedi. Rëndësia e kujdesit ndaj kockave dhe nyjeve, flet ortopedi Qerim Kida në podcastin "Shëndeti në rend të parë" Përveç qafës, problemet nuk ndalen vetëm aty. Kida thekson se gjithnjë e më shpesh po paraqiten edhe dhimbje në duar dhe gishta, madje edhe tek moshat e reja. “Kemi raste të shumta të të rinjve që ankohen për dhimbje në dorë për shkak të pozicionit gjatë përdorimit të telefonit”, tha ai. Si zgjidhje, ai rekomandon një përdorim më të kujdesshëm dhe të kontrolluar të telefonit, si dhe mbajtjen e një pozicioni të duhur të trupit. “Telefoni duhet të përdoret në një pozicion të përshtatshëm, me qafën drejt dhe në nivel të syve”, theksoi Kida. Një tjetër aspekt shqetësues është rritja e ngarkesës mbi qafë për shkak të pozicionit të gabuar. “Qafa normalisht peshon rreth 4–5 kilogramë, por kur përkulemi përpara, kjo peshë mund të rritet deri në 20–30 kilogramë", paralajmëroi Kida. Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë": - YouTube www.youtube.com
Go to News Site