Telegrafi
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së presidentit të vendit është dashur të përfundonte, duke theksuar se nuk do të duhej të kishte nevojë për afate shtesë apo dërgim të çështjes në Gjykatën Kushtetuese. Në Debat Plus, Tahiri tha se nëse do të kishte vullnet politik nga kryeministri Albin Kurti, presidenti do të ishte zgjedhur brenda afatit të rregullt. “Nëse zoti Kurti do ta kishte dashur me zgjedh presidentin, kishte mundur ta kryente moti. Nuk do të kishte ardhur puna as me shku në Kushtetuese, as me afate shtesë, por do të ishte kryer brenda afatit”, ka deklaruar Tahiri. Ai ka shtuar se PDK-ja ka treguar qasje konstruktive, duke marrë pjesë në takime dhe duke mbështetur, sipas tij, interesin shtetëror për zgjedhjen e presidentit të ri. “Pra nuk duhet me pas drama e as shfaqje por në mënyrë shumë serioze për me zgjedh presidentin. Ne i kemi shkuar në tavolinë kemi treguar qasje bashkëpunuese konstruktive sepse e kemi vlerësuar që interesi i vendit dhe interesi i qytetarëve është që me pasë president të ri”, ka deklaruar ai. I pyetur nëse PDK do të marrë pjesë në takimet e radhës, ai tha se aktualisht nuk sheh klimë të favorshme politike për një marrëveshje, duke lënë të kuptohet se vendi mund të shkojë drejt zgjedhjeve. “Sa e shoh klimën dhe qasjen e zotit Kurti, mendoj që vendi ka me shku në zgjedhje”, u shpreh Tahiri. Ai ka theksuar se PDK do të vazhdojë të veprojë në interes të qytetarëve dhe institucioneve, ndërsa shtoi se procesi duhet të jetë serioz dhe pa “dramë apo shfaqje”.
Go to News Site