Telegrafi
Bordi Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka përmbyllur konsultimet për Kosovën, duke vlerësuar se ekonomia ka shfaqur ngadalësim gjatë vitit të fundit, ndërsa presionet nga inflacioni janë rritur. Sipas raportit , rritja ekonomike ka rënë në 3.6% në vitin 2025, krahasuar me 4.6% në vitin 2024, si pasojë e dobësimit të eksportit dhe kërkesës private. Inflacioni ka vazhduar të rritet, duke arritur në rreth 5.7% në janar 2026, kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve të ushqimeve. Po ashtu, deficiti u thellua në 9.2% të Bruto Produktit Vendor, si rezultat i importeve më të larta të energjisë dhe ushqimeve. Megjithatë, sipas raportit, punësimi formal ka shënuar rritje, ndërsa rritja e pagave është moderuar krahasuar me një vit më parë. FMN paralajmëron se perspektiva ekonomike mbetet e pasigurt dhe e ekspozuar ndaj rreziqeve, si tensionet globale, konfliktet rajonale dhe paqëndrueshmëria politike në vend. Për vitin 2026, parashihet një ngadalësim i mëtejshëm i rritjes ekonomike në 3.3%, ndërsa inflacioni mund të arrijë në 5.9%, ndërkaq pritet të stabilizohet gradualisht në vitet në vijim. Në këtë kontekst, FMN rekomandon që politikat fiskale të rishikohen për të shmangur thellimin e deficitit në vitin 2026 dhe për të ruajtur stabilitetin makroekonomik në afat të mesëm. Sipas tyre, është e nevojshme rritja e investimeve publike cilësore, kontrolli i shpenzimeve dhe përmirësimi i mbledhjes së të hyrave. Sa i përket sektorit financiar, FMN vlerëson se ai mbetet i qëndrueshëm, por kërkon forcim të mëtejshëm të mbikëqyrjes dhe rregullimit, si dhe përmirësim të mekanizmave për menaxhimin e krizave dhe rreziqeve sistemike. Në përfundim, FMN thekson se reformat strukturore janë thelbësore për rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Zbatimi i planit të rritjes së Bashkimit Evropian dhe reformat në tregun e punës, energji dhe administratë publike konsiderohen kyçe për të përmirësuar perspektivën ekonomike të Kosovës. /Telegrafi/
Go to News Site