Telegrafi
Nga: Roland Qafoku Në vilën ku sot ndodhet ambasada e Vatikanit në Tiranë, në verën e vitit 1944, kur Shqipëria ishte nën pushtimin gjerman, banonte ministri i Jashtëm, Eqrem bej Vlora. Baxhanaku i tij, Eqrem Libohova, ia kishte dhënë vilën për të jetuar me bashkëshorten dhe dy vajzat për sa kohë ai do jetonte në Tiranë. Në një ditë korriku aty ka ndodhur një ngjarje përtej imagjinatës, e denjë për skenar filmi të Holivudit. Eqrem beu kishte ftuar për drekë një oficer gjerman që drejtonte trupat naziste në kryeqytet, ndërsa në bodrum qëndronte i fshehur një oficer britanik i ndërlidhjes. Për rreth tre orë, oficeri gjerman qëndroi në katin e dytë të vilës duke konsumuar ushqimin e servirur nga familja Vlora, ndërsa oficeri britanik ndodhej në bodrum i fshehur dhe informonte qendrën për gjithçka që ndodhte në Tiranë. Për tre orë oficeri britanik ishte dëshmitar i një bisedë të lirë dhe të shpenguar, por që mbante njëkohësisht edhe sekrete të mëdha dhe të vlefshme për të. Lexo më shumë për Eqrem bej Vlorën: - Dëshmia e baroneshës gjermane për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë - Shqipëria e nëntorit 1912 - “E vërteta” e flamurit të pavarësisë - Epërsia e Ahmet Zogut ishte mungesa e çdo ndjesie - Historia e gjakmarrjes së madhe në Tokën e Shenjtë, shqiptari që tentoi të ndalte Rothschildët dhe sulltani që lejoi krijimin e Izraelit - Misteret rreth vrasjes së Avni Rustemit: Për Eqrem bej Vlorën, Avniu ishte kriminel dhe karagjoz! Ironia dhe rastësia bënë që pas Luftës së Dytë Botërore, oficeri gjerman dhe oficeri britanik të takoheshin. Të ftuar në një konferencë ndërkombëtare në Stokholm, pa e ditur për njëri-tjetrin, të dy e rrëfyen këtë ngjarje nga pozicioni ku qëndronin ato orë në vilën e shqiptarit Vlora: Gjermani për mikpritjen që kishte treguar politikani shqiptar, dhe britaniku për mbështetjen që kishte treguar po ai politikan shqiptar edhe pse formalisht mbështeste gjermanët. Qeshën më situatën, por edhe me faktin se si një politikan shqiptar kishte bashkëpunuar me të dy. Madje, britaniku tregoi se i shkoi në mendje që në një moment të hynte në dhomën ku po drekonin dhe ta vriste oficerin gjerman aty duke ngrënë. Por, hoqi dorë nga ky plan vetëm kur mendoi pasojat që do të kishte Eqrem bej Vlora. Pra, shqiptari Vlora, nga njëra anë ftonte gjermanin në shtëpi dhe nga ana tjetër strehonte oficerin britanik. Fakti i panjohur vjen pas kaq dekadash nga vetë protagonisti gjerman në kujtimet e botuara. Kjo skenë si shesh xhirimi i një filmi, më shumë se një episod tragjik dhe komik njëherësh, tregon se në çfarë situate kanë qenë establishmenti shqiptar dhe plejada e politikës shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pas saj Eqrem bej Vlora u cilësuar si kuisling, tradhtar e gjithfarësoj dhe emrin i tij ishte i 37-ti në listën e kriminelëve të luftës. Modestisht, si njohës i figurës së Eqrem bej Vlorës, pa mohuar asnjëherë statusin e klasës së lartë të tij si intelektual, kam patur shumë dilema për pozitën e tij gjatë Luftës së Dytë Botërore aq sa në e shkrimet e mia e vendosja mes heroit edhe tradhtarit, mes të mirit dhe të keqit, mes asaj që bëri dhe asaj që duhet të bënte. Por, ky fakt domethënës tregon më shumë për ta hequr përfundimisht këtë dilemë. E vërteta është se Eqrem bej Vlora nuk kishte asnjë forcë të kundërshtonte as pushtimin italian dhe as atë gjerman. Dhe, duke qenë antikomunist, nuk kishte zemër të bashkohej me rezistencën që në atë kohë, për hir të së vërtetës, po bëhej kryesisht vetëm nga komunistët. Por, me këtë histori na rezulton se rezistenca e tij paska qenë edhe më heroike se sa ajo e ilegalja e komunistëve. Të strehoje në një shtëpi në qendër të Tiranës një oficer britanik të ndërlidhjes do të thoshte vdekje e sigurt. Kjo mënyrë ishte më e rrezikshme edhe nëse Eqrem bej Vlora të kishte dalë në mal partizan. Pra, formalisht, Eqremi ishte deutsche kultur dhe zyrtarisht mbante detyrën e ministrit të Jashtëm, por me zemër ishte the british culture , pra në krah të aleatëve që fituan luftën dhe Shqipëria u rendit në krah të tyre. Në këtë mënyrë, kjo ngjarje ia heq Eqrem beut edhe atë njollë që ai e mbante pa të drejtë prej dekadash. E dhimbshme është se e drejta që i duhej dhënë menjëherë pas luftës iu dha në vitin 2014 nga shteti shqiptar, kur kryeministri Edi Rama solli eshtrat e tij në atdhe përmes një ceremonie shtetërore. Këtu duhet theksuar se një kontribut të jashtëzakonshëm ka Hëna Këlcyra, kjo grua që shkriu shumë vite të jetës së saj për të ridimensionuar figurën e Eqrem beut. Falë këmbënguljes së saj kjo gjë u bë realitet. Por, a ka vlerë kur kjo e drejtë Eqrem bej Vlorës iu dha pas 70 vjetësh? A ka vlerë kur familja që la në Shqipëri kaloi një kalvar të dhimbshëm vuajtje deri në humbje jete? Historinë e vilës ku sot është Ambasada e Vatikanit nuk e dinte as familja. Nuk e mësoi sa ishte gjallë as Ali bej Këlcyra miku i tij më i afër në ekzil. Nuk e mësoi as Hëna Këlcyra, e bija e beut që i shërbeu Eqrem beut si baba të dytë deri sa ai mbylli sytë. Për të mos e vijuar me historianët komunistë dhe antikomunistë bashkë që nuk ia kishin idenë kësaj historie, sepse edhe sot ata harxhojnë më shumë kohë me luftë ndaj njëri-tjetrit se sa në arkiva, duhej të kalonte më shumë se gjysmë shekulli nga vdekja e Eqrem beut që të mësohej se gjatë luftës ai ishte i rezistencës duke qenë njëkohësisht edhe kuisling. Natyrisht, një rezistencë, ashtu siç dinte të bënte ai: duke e strehuar në bodrumin e shtëpisë oficerin britanik, një histori që meqenëse nuk u shkrua në histori, ia vlen të paktën të bëhet skenar filmi.
Go to News Site