Collector
Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe pritja e tyre nga administrata osmane | Collector
Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe pritja e tyre nga administrata osmane
Telegrafi

Dëbimi i shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe pritja e tyre nga administrata osmane

Nga: Agron Islami Si rrjedhojë e Luftës Ruso-Osmane 1877-1878 dhe vendimeve të Kongresit të Berlinit, Vilajeti i Kosovës humbi një pjesë të territoreve verilindore, respektivisht Sanxhakun e Nishit me kazatë e Prokupjes, Kurshumlisë, Leskocit dhe Nishit me një popullsi të përgjithshme prej 165 000 banorësh, nga të cilët, sipas të dhënave zyrtare osmane të vitit 1877, rreth 70 000 banorë - apo 41.01 përqind - ishin shqiptarë të besimit islam (po ashtu edhe Sanxhaku i Pirotit i cili kishte rreth 12 000 banorë shqiptarë myslimanë, iu aneksua Serbisë). Njëherësh, në kuadër të këtyre marrëveshjeve, Vilajetit të Kosovës iu aneksua edhe sanxhaku i Vranjës i cili kishte rreth 25 000 banorë shqiptarë. Humbjet e njëpasnjëshme të ushtrisë osmane në shekullin XIX, u përcollën me tkurrjen territoriale më të madhe të perandorisë, e cila kishte sunduar plot 500 vjet me Ballkanin e sotëm (Rumelinë). Ajo tanimë nuk kishte forcë t’i mbronte territoret e veta, e as të kundërshtonte vendimet që merreshin në tavolinat diplomatike. Pasojat e këtij realiteti të Perandorisë shkuan në drejtim të myslimanëve shqiptarë, boshnjakë dhe turq, të cilët për herë të parë po përballeshin me presionin e lëshimit të trojeve të veta dhe tanimë sulltani nuk kishte fuqi që t’i mbronte - as nënshtetasit e tij, e lëre më trojet e tyre. Karshi kësaj gjendjeje, sulltan Abdylhamiti i Dytë themeloi komisionin e veçantë ( idare-i Umumiyye-i Muhacirin Komisyonu), i cili me ekipet e tij - të cilat ishin aktive në çdo qytet të Vilajetit të Kosovës - kishin përgjegjësinë për pritjen dhe sistemimin e të shpërngulurve nëpër pikat e përcaktuara më herët. Njëherësh, komisionet në fjalë përgatisnin edhe dokumentacionin e nevojshëm për muhaxhirët që do të udhëtonin drejtë kryeqendrës osmane. Referuar të dhënave zyrtare osmane, njëri ndër studiuesit më të njohur mbi temën e muhaxhirëve, Nedim Ipek, ka konstatuar se numri i përgjithshëm i të dëbuarve me dhunë nga zonat e Rumelisë është rreth një milion, ku mbi gjysmë milion kishin vdekur gjatë rrugës si pasojë e masakrave, dhunës, acarit dhe kushteve epidemike me të cilat ishin përballur. Vilajeti i Kosovës ishte zona më e afërt e sigurt për të ikurit nga dhuna serbe më 1878 dhe kështu Shkupi kishte marrë epitetin e kryeqendrës mikpritëse të muhaxhirëve nga Sanxhaku i Nishit dhe zonave përreth. Sipas të dhënave zyrtare osmane, nënkuptohet se vala e muhaxhirëve ishte nga rrethet e Nishit, Vranjës, Prokupjes, Kurshumlisë, Leskocit, si dhe nga hapësirat e Bullgarisë së sotme, respektivisht nga Sofja, Qystendili, Dubnica, Orehova etj. Më pas, nga Shkupi shpërndaheshin në qytete të ndryshme të Kosovës, derisa ata që shkonin drejtë qendrës osmane drejtoheshin për në Selanik dhe nga aty për në Stamboll dhe gjetiu. Në të njëjtën kohë, një valë tjetër e muhaxhirëve myslimanë vinte nga Bosnja në Mitrovicën e sotme. Këta kishin ikur nga okupimi austro-hungarez. Nga deklaratat e muhaxhirëve për anëtarët e komisionit për pritjen e mysafirëve, siç thuhet në këto shkresa, shohim se ata kishin ndërruar më shumë se një vend. P. sh. në regjistrimin e datës 26 dhjetorë 1882, Haliti nga Yrgypi (Prokupje), të cilit i ishte konfiskuar e gjithë pasuria dhe i ishte djegur shtëpia, bashkë me gjithë bashkëvendësit fillimisht ishin vendosur në Nish, por me rënien e Nishit në duar të serbëve ata kishin ikur drejt Shkupit. Në raportin e datës 1 shtator të vitit 1881, ndër të tjera thuhet: Sot kemi bërë regjistrimin e muhaxhirëve të cilët kanë shpëtuar nga robëria (taht-i esaretden). Këta mysafirë nga Nishi dhe Shehirkoji (Piroti), të cilët kanë ardhur në Shkup, janë regjistruar me emër dhe mbiemër. Njëherësh, stafi i komisionit ka informuar qendrën për numrin e mysafirëve të cilët do të udhëtojnë drejt Selanikut me tren dhe për këta është përgatitur dokumentacioni i nevojshëm për udhëtim. Administrata osmane e dinte fare mire se trevat e humbura më nuk do të riktheheshin nën sundimin e tyre dhe mbi këtë argument mijëra familje të muhaxhirëve që kishin arritur në Shkup, u sistemuan nëpër fshatra dhe qytete të ndryshme të Vilajetit të Kosovës. Njëherësh, me lejen dhe me ndihmën e administratës qendrore u ndërtuan shtëpi për ata që u shpërngulën me dhunë. Sipas telegramit të datës 26 gusht 1879, administrata e Vilajetit të Kosovës, në kërkesën me nr. rendor 146, kërkonte nga qendra (Porta e Lartë) në Stamboll që të ndante 100 000 kurushë për shtëpitë që do të ndërtoheshin në lagjen e dedikuar muhaxhirëve (lagja e muhaxhirëve) në Prishtinë, ku do të akomodoheshin mysafirët. Shtëpi të reja për muhaxhirët ishin ndërtuar edhe në lagjen Jenitepe të Shkupit. Ndërsa, muhaxhirët me gjendje të mirë financiare ndërtimin e shtëpive e kishin bërë vetë. Ky argument dëftohet në regjistrimin e 20 shtatorit 1880 të 529 muhaxhirëve të ardhur nga Nishi, Yrgypi, Berkofca e Leskoci, ku ndër të tjera thuhej se prej 529 të ardhurve, 354 prej tyre ishin vendosur në 100 shtëpi, ndërsa janë në mungesë edhe 41 shtëpi për akomodimin e 175 banorëve të cilët ishin në statusin e mysafirit. Megjithatë, me përjashtim të 5-6 familjeve që nuk kishin mundësi të ndërtonin shtëpi, rreth 40 familje kishin kërkuar leje për ndërtimin e shtëpive me vetëfinancim. Nëse bëjmë një analizë të regjistrimeve osmane të hartuara nga komisioni i muhaxhirëve në Shkup, shohim se një pjesë e mirë e kryefamiljarëve ishin fëmijë të moshës së vogël dhe gra. Po ashtu, brenda një shtëpie muhaxhirësh ishin regjistruar edhe pjesëtarë të familjes së gjerë, sikur daja, halla, tezja, apo edhe fqinj dhe bashkëvendës të cilët kishin mbetur pa askënd. P. sh. kryefamiljar i shtëpisë me nr. 9, vendosur në Kaçanikun e Vjetër, ishte Mihanja nga Vranja, e identifikuar si nëna e Ramadanit, të birit të Hajdarit, dhe bashkë me të ishin regjistruar: motra Fatimja - 25 vjeçe, vëllai Rexhepi - 23 vjeç (me probleme shëndetësore) dhe motra tjetër Nexhibeja - 11 vjeçe. Apo shtëpia me nr. 14 për kryefamiljar kishte 15-vjeçarin Rexhep, të birin e Bejazitit nga fshati Bajr i Leskocit, dhe bashkë me të ishin regjistruar nëna Hanifeja - 40 vjeçe, vëllau Mehmeti - 12 vjeç dhe motra Zeliha - 11 vjeçe. Shembujt e shumtë të tillë na sjellin te përfundimi se pushteti sllav kishte asgjësuar qëllimshëm burrat, metodë të cilën e aplikuan edhe në Luftën e Parë Botërore. Janë të mjaftueshme shkrimet e gazetarit rus Trocki, për të krijuar pamjen e dhunës dhe terrorit që kreu mbretëria serbe e kohës. Trocki rrëfeu se, derisa mbreti serb ishte rrugës për Kumanovë, hasi në një grup shqiptarësh të zënë rob nga ushtria serbe. Mbreti u ngrit në këmbë nga qerrja dhe me ton të lartë iu drejtua ushtarëve: Çfarë dobie kanë këta njerëz për mua? Duhet të vriten – jo me pushkatim, sepse kjo është humbje e municioneve, por me hunj . Në shkrimin tjetër të botuar në gazetën Kievskaa Mysl të datës 23 dhjetor 1912, Trocki i dha hapësirë rrëfimit të një gazetari serb, i cili ndër të tjera ka thënë: Tre ushtarë kaluan aty pranë. Dëgjova bisedën e tyre. ‘Kam vrarë plot shqiptarë’, tha njëri, ‘por nuk kam gjetur as edhe një qindarkë tek asnjëri prej tyre. Por, kur vrava një bulë (një fshatare e re turke), gjeta dhjetë lira floriri në të’. Në vazhdim të rrëfimit, për ngjarjet në Ferizaj, citohet rrëfimi i një tetari serb: ‘Po pjekim pula dhe po therim shqiptarë. Por, na ka ardhur në majë të hundës’, shtoi ai me një psherëtimë dhe një gjest mërzie e indiference. ‘Megjithatë, ka disa njerëz shumë të pasur mes tyre. Aty afër Ferizajt hasëm në një fshat, një fshat i pasur, me shtëpi si kala. Hymë në njërën prej shtëpive. Pronari ishte një plak i pasur, që kishte tre djem. Pra, ishin katër burra, dhe shumë gra gjithashtu. I nxorëm të gjithë jashtë, i vumë gratë në rresht dhe therëm burrat përpara syve të tyre. Nuk ndodhi asgjë. Gratë nuk shpërthyen në lot. Gati dukej sikur ishin të pandjeshme. E vetmja gjë që kërkuan ishte të lejoheshin të hynin në shtëpi për të marrë gjërat personale. I lamë. Kur dolën, secila prej tyre na solli dhurata të shtrenjta. Pastaj ia vumë flakën gjithë vendit’. Këto praktika të dhunës dhe persekutimit u përdorën edhe në luftën e fundit të Kosovës, të cilën e kemi të freskët. /Telegrafi/

Go to News Site