Telegrafi
Kuvendi nuk ka pasur kuorum për ta votuar rezolutën e prezantuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, pas debatit parlamentar për rritjen e çmimit të naftës. Kësisoj, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, i cili e ka kryesuar sot këtë seancë të jashtëzakonshme, tha se kjo rezolutë do të votohet në seancën e ardhshme. “Janë 27 deputetë sipas administratës, gjë që e bën të pamundur për ta votuar. Kështu që votimi i kësaj rezolute bartet për seancën e ardhshme, duke shpresuar që të paktën ata që e kanë nënshkruar këtë rezolutë të vijnë dhe të votojnë”, tha ai. Kjo seancë e jashtëzakonshme është karakterizuar me përplasje mes deputetëve të pozitës dhe opozitës por edhe kryeministrit e anëtarëve tjerë të kabinetit qeveritar. Pas pauzës, kanë munguar numër i madh i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje si dhe ministrat. Rritja e çmimeve të naftës, Kurti: Jo zgjidhje të shpejta, pako 200 milionë euro për përballimin e krizës së çmimeve Kjo seancë e jashtëzakonshme është ftuar nga partitë opozitare, ndërkaq rezoluta është prezantuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku- Sadriu, përmes kësaj rezolute, ka kërkuar nga qeveria uljen e përkohshme të akcizës nga 36 cent në 20 cent në litër me afat të përkohshëm. Po ashtu, është kërkuar edhe ulja e përkohshme e TVSh-së në karburante, por edhe që urgjentisht të gjej forma për të subvencionuar çmimin e naftës për bujqësinë, transportin publik dhe prodhuesit vendor. Këto janë kundërshtuar nga anëtarë të kabinetit qeveritar, ku ka pasur kundërshtime e replika mes pozitës e opozitës.
Go to News Site