Telegrafi
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur më 25 mars që deputetët e Kuvendi i Kosovës të zgjedhin presidentin e ri brenda një afati prej 34 ditësh, në të kundërtën vendi do të shkojë automatikisht në zgjedhje të parakohshme. Në këtë kontekst, analistët politikë paralajmërojnë një periudhë të re dinamike në skenën politike pas përfundimit të mandatit të presidentes Vjosa Osmani. Analisti Ardian Bytyqi, në emisionin “FIVE” në RTV Dukagjini, ka deklaruar se për një periudhë të përkohshme detyrën e presidentit do ta ushtrojë kryekuvendarja Albulena Haxhiu. Sipas tij, zhvillimet politike mund të marrin drejtim të ri edhe në varësi të vendimit të Gjykata Speciale në Hagë për ish-krerët e UÇK-së. Bytyqi ka shtuar se vendi ka gjasa të shkojë në zgjedhje dhe se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) duhet të kandidojë ish-presidentin Hashim Thaçi për kryeministër, në rast të rikthimit të tij në Kosovë. "Në rast se do të kthehet ish-presidenti Thaçi në Kosovë, atëherë ‘lufta’ do të bëhej edhe më dinamike e më interesante. Ajo që mund të them sot është se PDK-ja do të duhej të dalë me emrin e Hashim Thaçit si kandidat për kryeministër – kjo kauzë e ka mbajtur edhe votuesit e PDK-së se ata një ditë do të ktheheshin në Kosovë dhe PDK-ja do të jetë ajo që ka qenë më herët”, u shpreh Bytyqi. Osmani nesër ia dorëzon detyrën e presidentes, Albulena Haxhiut Edhe analisti Shemsi Jashari vlerëson se zhvillimet e fundit politike janë një parapërgatitje për fushatën zgjedhore. Ai ka theksuar se kryeministri Albin Kurti ka ende kohë të reflektojë për të siguruar zgjedhjen e presidentit dhe për të shmangur zgjedhjet e parakohshme. Sipas Jasharit, tendenca e Lëvizja Vetëvendosje për të mbajtur shumicën dhe për të kontrolluar pozitat kryesore po e çon vendin drejt zgjedhjeve. Ai ka kritikuar gjithashtu performancën e presidentes Osmani, duke e cilësuar si të fokusuar më shumë në aktivitete ndërkombëtare sesa në rezultate konkrete. "Përfundimi i mandatit të Presidentes ka qenë i ditur – ajo që e kemi parë kohën e fundit është se e kishte problem që Presidentja t’i menaxhonte emocionet e veta qoftë duke marrë vendime që nuk kanë qenë fortë të matura e qoftë edhe duke dalë në fushatën lamtumirëse me qytetarë dhe duke u ankuar se nuk po duan që ta bëjnë presidente sërish – diçka që s’kemi parë kurrë më herët. Po ka vështirësi pasi VV-ja që e ka shumicën dhe tendenca për ti pasur të gjitha pozitat dhe kjo po na qon drejtë kutive të votimit”, u shpreh Jashari. Aktualisht, Vetëvendosje nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur e vetme presidentin. Për këtë proces nevojiten të paktën 80 deputetë të pranishëm dhe dy të tretat e votave në dy rundet e para, ndërsa në rundin e tretë kërkohen 61 vota. Partitë opozitare kanë deklaruar se përgjegjësia për sigurimin e shumicës bie mbi partinë në pushtet, duke kërkuar një marrëveshje politike për tejkalimin e situatës./Telegrafi/
Go to News Site