Collector
Pse disa njerëz bien pa ndjenja kur shohin gjak? Ja çfarë po ndodh në trupin tuaj | Collector
Pse disa njerëz bien pa ndjenja kur shohin gjak? Ja çfarë po ndodh në trupin tuaj
Telegrafi

Pse disa njerëz bien pa ndjenja kur shohin gjak? Ja çfarë po ndodh në trupin tuaj

Simptomat përfshijnë marramendje, djersitje, dobësi, shikim të ngushtuar dhe rënie, ku rreziku më i madh është lëndimi gjatë vetë rënies Marrja e gjakut, që shpesh bën pjesë në metodat bazë diagnostikuese, për disa njerëz është përvojë shumë e vështirë dhe mund të çojë deri në humbje të vetëdijes në atë moment. Dr. Jordan Gaines Lewis shpjegon se një reagim i tillë ndaj gjakut apo marrjes së gjakut ka një shpjegim shumë specifik fiziologjik dhe nuk është domosdoshmërisht shenjë e “stomakut të dobët”, por një refleks i lidhur ngushtë me mënyrën se si sistemi ynë nervor mbron trurin. Humbja e vetëdijes nga pamja e gjakut ka edhe emrin e saj: sinkopa vazovagale. Kjo është një gjendje në të cilën trupi reagon papritur, zemra dhe enët e gjakut ndryshojnë ritmin, presioni i gjakut bie dhe truri merr përkohësisht më pak gjak dhe oksigjen sesa i nevojitet. Në thelb të këtij procesi qëndron nervi vagus, një nga nervat kryesorë që lidh trurin me organet e brendshme. Kur aktivizohet një pjesë e caktuar e trungut të trurit, mund të nisin procese që ngadalësojnë rrahjet e zemrës dhe zvogëlojnë forcën e saj, ose zgjerojnë enët e gjakut dhe ulin presionin e gjakut. Rezultati është i ngjashëm: trupi ju “vendos” në pozicion horizontal, shpesh pa paralajmërim, sepse në këtë pozicion gjaku arrin më lehtë në tru. Tingëllon frikësuese, por në këtë reagim ka logjikë. Është sikur trupi, para se ta kuptoni çfarë po ndodh, bën lëvizjen më të shpejtë për të rikthyer ekuilibrin. Autorja për Psychology Today thekson se humbjen e vetëdijes e paralajmërojnë këto simptoma: marramendje, zhurmë ose gumëzhitje në veshë, djersitje, dobësi, probleme me shikimin dhe vështirësi në të folur. Pas kësaj vjen rënia, e cila është më e rrezikshmja për shkak të lëndimeve të mundshme, edhe pse vetë sinkopa zakonisht zgjat pak, transmeton Telegrafi. Shkaktari nuk është vetëm gjaku. Edhe qëndrimi i gjatë në këmbë, temperaturat e larta, uria, dehidratimi, si dhe stresi i fortë ose emocionet intensive mund të aktivizojnë të njëjtin mekanizëm. Studiuesit besojnë se të gjithë e kemi këtë refleks deri diku kur përballemi me një dëmtim serioz. Ekziston edhe një teori evolucionare që e bën këtë fenomen edhe më interesant: është e mundur që humbja e vetëdijes dikur të ketë pasur rol mbrojtës. Një ekspert nga Cleveland Clinic, Dr. Fred Jäger, shpjegon se në të kaluarën, humbja e vetëdijes mund ta bënte një person të dukej si i vdekur, duke ndalur sulmin e mëtejshëm. Besohet gjithashtu se ulja e rrahjeve të zemrës dhe e presionit të gjakut mund të ndihmojë në ngadalësimin e gjakderdhjes në rast dëmtimi, megjithëse ende nuk është plotësisht e qartë pse disa njerëz janë më të prirur ndaj këtyre episodeve, qoftë për shkak të gjenetikës, hormoneve apo kombinimit të faktorëve të ndryshëm. Këshilla është e thjeshtë: nëse ndjeni marramendje, ngushtim të shikimit ose djersë të ftohta, është më mirë të uleni ose të shtriheni menjëherë. Kjo është mënyra më e shpejtë për të mbrojtur veten nga rënia dhe për të ndihmuar trupin të stabilizohet. Nëse humbja e vetëdijes ndodh shpesh, pa arsye të qartë ose shoqërohet me simptoma të tjera, duhet të kërkoni ndihmë mjekësore. /Telegrafi/

Go to News Site