Telegrafi
Albi Mall Superliga e Kosovës rikthehet sërish sot (e shtunë) pas pauzës ndërkombëtare, me tri duele të forta që do të hapin xhiron e 27-të. Në Suharekë, Ballkani do të jetë nikoqire e Dukagjinit ku të dy skuadrat do të synojnë vetëm për fitoren. Dukagjini ka shtatë ndeshje radhazi pa rezultat pozitiv, ndërsa Ballkani në xhiron e kaluar u mposht nga Prishtina. Një duel tjetër tejet i fortë është ai mes Llapit dhe Ferizajt në Podujevë. Dy skuadrat që gjenden në pjesën e poshtme të tabelës, do të kërkojnë triumfin për të bërë një hap të madh në luftën për mbijetesë. Ndërkohë në Hajvali, ekipi i promovuar këtë sezon në elitë Prishtina e Re, do të jetë nikoqire e Gjilanit. Vendasit në këtë ndeshje vijnë me një seri prej pesë ndeshjesh rresht pa rezultat pozitiv, ndërsa edhe mysafirët xhiron e kaluar pësuan humbje në derbin e qytetit ndaj Dritës. Të gjitha këto tri ndeshje është planifikuar të nisin me fillim nga ora 15:00./ Telegrafi /
Go to News Site