Collector
​Presidentja Osmani përfundon mandatin, sot ia dorëzon detyrën kryeparlamentares Haxhiu | Collector
​Presidentja Osmani përfundon mandatin, sot ia dorëzon detyrën kryeparlamentares Haxhiu
Telegrafi

​Presidentja Osmani përfundon mandatin, sot ia dorëzon detyrën kryeparlamentares Haxhiu

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot, më 4 prill përfundon mandatin. Në mungesë të zgjedhjes së presidentit të ri, Osmani detyrën ia dorëzon sot kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu. Ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës do të mbahet në Kabinetin e Presidentes në orën 16:00. “Në orën 16:00, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ia dorëzon detyrën Kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu. Akti ceremonial i dorëzim-pranimit të detyrës do të mbahet në Kabinetin e Presidentes”, thuhet në njoftimin e Presidencës. Zhvillimet e fundit në Kosovë lidhur me çështjen e presidentit janë karakterizuar nga një ngërç i thellë politik. Kuvendi në seancën e caktuar për presidentin nuk arriti ta zgjedh në mungesë të kuorumit, ndërkaq seanca është ndërprerë. Situata u përshkallëzua më tej pasi presidentja Vjosa Osmani shpërndau Kuvendin dhe paralajmëroi zgjedhje të jashtëzakonshme, vendim që u kontestua dhe u dërgua në Gjykatën Kushtetuese. Kosova drejt zgjedhjeve, presidentja Osmani shpërndan Kuvendin E vendimi i Kushtetueses tha se dekreti i Osmanit për shpërndarje të legjislativit s’ka efekt juridik, ndërkaq i ka dhënë kohë Kuvendit 34 ditë për zgjedhjen e presidentit. Vendos Kushtetuesja: Dekreti i Osmanit i pavlefshëm, Kuvendi ka 34 ditë për zgjedhjen e presidentit Ndryshe, Osmani në krye të shtetit ishte zgjedhur në seancën e 4 prillit 2021, me 71 vota “për”. Osmani u zgjodh në raundin e tretë të votimit ku votuan 82 deputetë, pasi në raundin e parë dhe të dytë nuk mori votat e nevojshme. Vjosa Osmani zgjidhet Presidente e Kosovës 71 nga deputetët votuan për Vjosa Osmani-Sadriu, 11 vota rezultuan të pavlefshme, ndërsa për kandidatin tjetër Nasuf Bejta nuk votoi asnjë deputet. Para raundit të tretë u zhvillua edhe procedura e dy raundeve. Në raundin e parë, votuan 81 deputetë. Për kandidaten Vjosa Osmani-Sadriu votuan 69 deputetë, 12 vota u shpallën të pavlefshme, ndërsa kundërkandidati i Osmanit, Nasuf Bejta nuk mori asnjë votë. Në bazë të këtij rezultati u konstatua se asnjëri nga kandidatët nuk i kishte votat e nevojshme për t’u zgjedhur president, aq sa duhen sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në raundin e dytë votuan 81 deputetë. Për kandidaten Vjosa Osmani-Sadriu votuan 67 deputetë, 11 vota të pavlefshme, ndërsa kandidati Nasuf Bejta mori 4 vota. As në raundin e dytë, asnjëri nga kandidatët nuk mori vota për t’u zgjedhur president. Pas votave të nevojshme në raundin e tretë, presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu bëri betimin para deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e më pas në sallë u intonua himni shtetëror i Republikës së Kosovës. Me t’u zgjedhur presidente, Vjosa Osmani- Sadriu, mbajti një fjalim para deputetëve të Kuvendit. Presidentja Osmani në fjalimin e saj dha një porosi për vajzat dhe gratë anembanë vendit, duke u thënë se gjithçka është e mundur kur ato ëndërrojnë dhe punojnë për realizimin e ëndrrave të tyre. /Telegrafi/

Go to News Site