Collector
Albulena Haxhiu zyrtarisht ushtruese detyre e presidentes | Collector
Albulena Haxhiu zyrtarisht ushtruese detyre e presidentes
Telegrafi

Albulena Haxhiu zyrtarisht ushtruese detyre e presidentes

Vjosa Osmani e ka dorëzuar të shtunën detyrën e presidentes. Në një ceremoni zyrtare, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu është bërë zyrtarisht ushtruese detyre e presidentes. Kjo e fundit do të jetë ushtruese e detyrës së presidentes deri në zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. “Ju dëshiroj shumë suksese për gjatë kohës që ju do të qëndroni këtu si ushtruese e detyrës. Nuk do t'jetë punë e lehtë, edhe unë i kam provuar të dyja pozitat në vitin 2020 dhe një periudhë në vitin 2021, pra të jem edhe kryetare e Kuvendit edhe ushtruese e detyrës së presidentes. Sado që të dyja detyrat kanë sfidat e veta, të jesh kreu i shtetit, njëkohësisht të udhëheqësh politikën e jashtme të vendit dhe ushtrinë e vendit e shumë detyra të tjera, duke filluar nga përfaqësimi i unitetit të popullit janë përgjegjësi e jashtëzakonshme në cilat ju dëshirojmë shumë sukses e shëndet në ditët në vijim”, tha presidentja Osmani gjatë ceremonisë së dorëzim-pranimit të pozitës së detyrës së presidentes. Ajo tutje tha se shpreson shumë që Kuvendi i Republikës së Kosovës sa më parë që të jetë e mundur do ta zgjedhë presidentin apo presidenten e re, me shpresën që, siç tha, të kemi stabilitet institucional në një kohë kur jo vetëm shteti ynë dhe rajoni ynë, por e gjithë bota po kalon krizat mëdha. “Kur unë kam ardhur në këtë zyrë në nëntor të vitit 2020, në fakt kanë qenë rrethana të jashtëzakonshme, siç e dini, kurse sot po ju lëmë pas një punë të jashtëzakonshme. Do të kemi mundësinë për gjatë takimit të diskutojmë për shumë procese që kanë filluar e përfunduar me sukses, por edhe për shumë procese që kanë filluar e shpresoj që ju t'i vazhdoni sa jeni këtu edhe kushdo që do të vijë pas jush”, i tha tutje Osmani kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila nga sonte në orën 24:00, do ta ushtrojë edhe detyrën e presidentes së vendit. Posti i ushtruesit të detyrës së presidentit nga Albulena Haxhiu nuk mund të ushtrohet për një periudhë më të gjatë se gjashtë muaj. Zgjedhja e presidentit të ri dështoi në fillim të muajit të kaluar pikërisht për shkak të mungesës së një marrëveshjeje mes partive. Presidentja Osmani në ditën e fundit të mandatit: Këto pesë vite nuk kanë qenë historia e një njeriu, ka qenë rrugëtimi ynë i përbashkët Dy kandidatë të paraqitur nga partia në pushtet, Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, nuk u hodhën fare në votim në mungesë të kuorumit gjatë një seance më 5 mars. Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet. Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese u dha ligjvënësve 34 ditë kohë për ta zgjedhur kreun e shtetit, në të kundërtën, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme, që duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Go to News Site