Telegrafi
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A4 në Termocentralin Kosova A pritet të ndalet në mënyrë të kontrolluar sonte rreth orës 00:00, pas paraqitjes së problemeve në kondenzator. Sipas vlerësimeve profesionale, vazhdimi i operimit në këto kushte mund të shkaktojë dëmtime më të mëdha. "Për këtë arsye, ndalja është një masë e domosdoshme parandaluese, me qëllim të ruajtjes së integritetit të njësisë dhe evitimit të defekteve serioze", thuhet në njoftimin e KEK-ut. "Të gjitha institucionet relevante janë njoftuar me kohë për këtë zhvillim", vijon njoftimi. Aktualisht, KEK operon me tri njësi gjeneruese: B2 në TC Kosova B dhe A3 dhe A4 në TC Kosova A, duke siguruar vazhdimësinë e prodhimit sipas kapaciteteve në dispozicion. Në të njëjtën kohë, KEK rikujton se është në një fazë të rëndësishme transformimi, me investime mbi 500 milionë euro për modernizimin dhe zgjatjen e jetës së njësive gjeneruese – investimet më të mëdha që nga fillimi i operimit të termocentraleve. Si pjesë e këtyre investimeve: Njësia B1 është në proces modernizimi të turbinës dhe elektrofiltrave; Njësia A5 ndodhet në remont kapital; Ndërhyrjet e tilla kërkojnë ndalje të përkohshme të njësive, si pjesë e procesit për përmirësim afatgjatë. KEK thekson se këto masa janë të domosdoshme për të siguruar funksionimin të qëndrueshëm dhe modernizimin e sektorit energjetik në Kosovë./Telegrafi/
Go to News Site