Collector
Propaganda e Serbisë përmes filmit:“Harvest” rikthen narrativën e rreme për trafikim organesh në Kosovë | Collector
Propaganda e Serbisë përmes filmit:“Harvest” rikthen narrativën e rreme për trafikim organesh në Kosovë
Telegrafi

Propaganda e Serbisë përmes filmit:“Harvest” rikthen narrativën e rreme për trafikim organesh në Kosovë

“Žetva” mban titullin në serbisht filmi i ri propagandues i Serbisë. Me alamet mbështetje e promovimi shtetëror, në premierë të pranishmit panë atë që siç përshkruhet nga vetë produksioni, është “histori tronditëse e një baroni gjerman që ka nevojë për transplantim të zemrës”. Dhe siç shihet në “trailer” dhe në përshkrime të ndryshme që i bëhen filmit, shqiptarët e Kosovës janë ata që i sigurojnë baronit një zemër serbi. E tash gjermanin nuk e zë vendi vend pasi duke pasur zemër serbi, ajo i rrah fort për Kosovën. Në këtë film, sipas edhe vetë disa kritikëve serbë, s’ka fije arti. E për artistë të Kosovës, është thjesht një projekt në vazhdën e propagandës Institucionet serbe janë duke vazhduar të punojnë në atë që dinë të bëjnë më së miri: në propagandë. Këto ditë është dhënë premiera e filmit “Žetva”, në anglisht, “Harvest” e në shqip “Korrje”. U mblodhën paria politike e ajo artistike për të hapur një ekspozitë me titullin “Žuta kuća – zločin bez presude” (Shtëpia e Verdhë, krim i padënuar). Krejt bashkë në sallën “MTS” në Beograd, kur panë filmin, mësuan shumë për atë që siç përshkruhet nga vetë produksioni është “histori tronditëse e një baroni gjerman që ka nevojë për transplantim të zemrës”. Dhe siç shihet në “trailer” dhe në përshkrime të ndryshme që i bëhen filmit, shqiptarët e Kosovës janë ata që i sigurojnë baronit një zemër serbi. E tash gjermanin nuk e zë vendi vend, pasi duke pasur zemër serbi, ajo i rrah fort për Kosovën. Në këtë film, sipas edhe vetë disa kritikëve serbë, s’ka fije arti. E për artistë të Kosovës, është thjesht një projekt në vazhdën e propagandës. Serbia historinë me trafikim organesh e ka shëtitur gjithandej edhe me ndihmën ruse. Ka arritur deri te një raport në Këshillin e Evropës. Duke marrë shkas nga ai raport, sot funksionojnë Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ose siç njihet ndryshe Gjykata Speciale. Janë bërë hetime intensive ndërkombëtare në terren dhe në aktakuzat e ngritura në asnjë rast nuk gjendet fjala organe e as transplant. Por në filmat serbë, po. Për ta bërë më të besueshëm filmin në arenën ndërkombëtare është gjetur një regjisor amerikan. Paul Kampf pa ndonjë alamet karriere në kinematografi ka marrë përsipër që në një projekt dyorësh të vizualizojë romanin “Zemra serbe e Johanovos” të shkrimtarit serb, Veselin Dzheletoviq. Me një kastë aktorësh ndërkombëtarë e serbë, filmi sjell një histori ku baroni gjerman, Johann von Wagner – portretizuar nga Matthew McNulty, aktor britanik me origjinë gjermane – ka nevojë për transplant zemre. Këtë e mundësi e gjen në fundshekullin e kaluar ku shqiptarët ia shesin një zemër të një serbi. Më 1999 kur edhe zë fill rrëfimi në film, Serbia ka intensifikuar luftën në Kosovë. Dhe më 1998 dhe 1999 mbi 10 mijë civil shqiptarë janë vrarë gjatë spastrimit etnik që shteti serb ka ndërmarrë ndaj shqiptarëve. Për këtë arsye në mars të vitit 1999 bota demokratike ka ndërhyrë dhe ka nisur fushata ajrore e “NATO-s” kundër caqeve të ushtrisë jugosllave-serbe për të ndalur spastrimin etnik dhe krimet kundër njerëzimit. Por në romanin e Veselin Dzheletoviq dhe në film me skenar të tij dhe Paul Kampf problemi qëndron te gjermani që shqiptarët ia mundësojnë të ketë zemër serbe e gjoja paska ekzistuar një “Shtëpi e Verdhë” ku janë bërë këto krime. Filmi i dhënë premierë në Beograd më 17 mars, në javën e parë ka mbledhur rreth 11 mijë shikues në kinematë e Serbisë. Në premierën e organizuar nga shteti morën pjesë kryetarja e Kuvendit Popullor të Serbisë, Ana Brnabiq, dhe ministri i Kulturës, Nikola Selakoviq. Autori i romanit mbi të cilin bazohet rrëfimi dhe bashkëskenaristi i filmit, Veselin Dzheletovi ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Tanjug” se është jashtëzakonisht i kënaqur me ekranizimin e rrëfimit. Ai ka deklaruar se ndien një krenari të madhe që historia ka arritur te një regjisor amerikan, megjithëse në fillim kishte rezerva. Por ai s’ndalet me kaq. “Producenti më bindi, ndërsa vendimtare ishte fakti që regjisorët dërguan agjentë në Kosovë dhe Metohi për të verifikuar pretendimet nga romani. Vetëm pasi u bindën se gjithçka është e vërtetë, pranuan të punojnë në film. Paul Kampf nuk u tërhoq as pas mijëra email-eve kërcënuese nga lobi shqiptar. Disa aktorë u tërhoqën pavarësisht kontratave, por e vërteta është si uji, gjithmonë gjen rrugën vet”, ka thënë ai. Bashkëregjisor i filmit është Mladen Sheviq, ndërsa drejtor fotografie Radan Popoviq. Në rolet kryesore pos Matthew McNulty janë edhe Paul Murray, Rebecca Calder dhe aktorët serb Jovana Gavriloviq, Miodrag Dragiçeviq e Radoje Çupiq. Por për kritikun letrar dhe të filmit, Gjorgje Bajiq filmi s’është as te pritshmëritë dhe sipas tij, “zemra u transplantua por nuk rrahu”. Në një artikull ku analizon filmin për “Vreme” ai krejt projektin e sheh si mundësi të humbur. Sipas tij, “Harvest”, i cili mund të ketë pasur një qëllim dhe peshë politike, nuk arriti të gjejë një mënyrë bindëse dhe artistikisht të vlefshme për ta përcjellë atë. “Shkurt, ‘Harvest’ është një film pa të cilin mund të bënim dhe për të cilin janë shpenzuar para që mund të ishin përdorur kudo tjetër për një qëllim më të dobishëm. Dështimi i këtij ‘projekti me rëndësi kombëtare’ shfaqet në disa nivele. Nuk është filmi më i keq në botë, të mos e teprojmë, ka një farë shikueshmërie dhe ka në rolin kryesor Matthew McNulty, i cili lufton në mënyrë heroike me kufizimet e skenarit, por në përgjithësi: përshtypja është shumë e vakët. Ajo që më shqetëson është nota e dukshme propagandistike (që, të mos gënjejmë, pritej), por edhe më shumë fakti që në thelb është një film për të cilin është e vështirë të shpjegohet pse ekziston, kujt i drejtohet dhe çfarë synon realisht të arrijë”, shkruan Bajiq. Sipas tij, ambicia shihet që në premisë ku filmi përpiqet të kombinojë një histori personale, pothuajse metafizike, për identitetin dhe fajin, me një temë politikisht dhe historikisht të vështirë. “Problemi është se këto dy shtresa nuk arrijnë kurrë të lidhen në mënyrë organike. Në vend të një drame komplekse, marrim një rrëfim ilustrues që këmbëngul më shumë te mesazhi sesa te shprehja kinematografike. Nëse ideja ishte të prezantohej ‘historia jonë’ para një publiku ndërkombëtar – gjë që shihet qartë nga kasti ndërkombëtar (Matthew McNulty, Angus McFayden dhe të tjerë), vendimi që pjesa më e madhe e filmit të jetë në anglisht dhe nga produksioni që përfshin bashkëpunëtorë të huaj – rezultati është, në mënyrë paradoksale, jo mjaftueshëm bindës për atë treg”, shkruan ai. S’e sheh të denjë për ndonjë festival të kategorisë “A”. Dhe në realitet deri tash, filmi është dhënë në një festival që s’i takon kësaj kategorie siç është “Beloit International Film Festival” në Wisconsin të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe s’ia ka dalë të marrë ndonjë çmim. Sipas kritikut Bajiq, filmit i mungojnë shumë gjëra, por mbi të gjitha, roli kryesor nuk arrin ta zhvillojë një personazh të plotë dhe psikologjikisht të besueshëm. “Në përfundim, ‘Harvest’ është një film me ambicie të dukshme dhe një ‘temë të madhe’, por pa një shprehje të përshtatshme kinematografike. Lë përshtypjen e një mundësie të humbur – një projekt që mund të ketë pasur qëllim dhe peshë politike, por që nuk arriti të gjejë një mënyrë bindëse dhe artistikisht të vlefshme për ta përcjellë atë. Zemra u transplantua, por nuk rrahu”, shkruan Bajiq. Aktori nga Kosova, i cili viteve të fundit jeton në New York, Armend Baloku ka reaguar duke thënë se Serbia, përmes regjisorit Paul Kampf, ka realizuar filmin “Harvest”, i cili trajton të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”. “Ndërkohë që ne vazhdojmë të merremi me çështje tërësisht sipërfaqësore, Serbia po investon seriozisht në kriminalizimin e luftës së UÇK-së përmes kinematografisë. Kjo, në një kontekst më të gjerë, merr kuptim edhe më shqetësues nëse marrim parasysh armatosjen e saj dhe ndryshimet gjeostrategjike në Ballkan, si dhe faktin që nuk janë publikuar asnjëherë listat e bashkëpunëtorëve të saj në Kosovë”, ka reaguar ai. Në nëntor të vitit 2023 kur jepej lajmi se ka nisur xhirimi i “Harvest” kishte reaguar edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Kosovë. Institucioni kishte thënë se ky nuk është filmi i parë me propagandë të Serbisë. Ngjashëm ishte realizuar edhe filmi dokumentar me metrazh të gjatë “Shtëpia e Verdhë” i autores Slagjana Zariq. Ministria e Kulturës kishte thënë se përpjekja e Serbisë duhet të alarmojë bashkësinë ndërkombëtare. E kishte quajtur të trishtë e të papranueshëm faktin që mjeti kulturor të keqpërdoret për të shpërndarë propagandë. “Tentativat e tyre të vazhdueshme për të deformuar realitetin, si në rastin e filmit ‘Harvest’, duhet të alarmojnë autoritetet relevante dhe bashkësinë ndërkombëtare. E trishtë dhe e papranueshme të shohim se një mjet kulturor si filmi po keqpërdoret për të shpërndarë propagandë. Por, përtej tentativave për të rishkruar historinë përmes kinematografisë, e vërteta triumfon gjithmonë në sfidë me propagandën”, shkruhej në reagim. Qendra e Filmit në Serbi bashkë me televizionin shtetëror sidomos në dekadën e fundit kanë financuar e prodhuar një numër të konsiderueshëm të dokumentarëve dhe filmave të cilët mbajnë frymën e propagandës së kohës së Sllobodan Millosheviqit, udhëheqësit nën të cilin Serbia qe shkaktare e katër luftërave në Ballkan dhe realizoi gjenocid. Më 2024 Kombet e Bashkuara miratuan rezolutën nëpërmjet së cilës, 11 korriku shënohet si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë pasi më 1995 nga forcat serbe atje u vranë më shumë se 8 mijë e 300 boshnjakë, raporton Koha.

Go to News Site