Telegrafi
Mandati i Vjosa Osmanit si presidente e Kosovës përfundoi më 04.04.2026 dhe ulësen e të parës së shtetit, përkohësisht e zuri kryeparlamentarja Albulena Haxhiu. Por, edhe pas përfundimit të mandatit pesëvjeçar presidencial, Osmanit i njihen disa të drejta me Ligjin për Presidentin e Republikës së Kosovës, duke nisur nga thirrja “Presidente”, e cila do të vazhdojë t’i vlejë. Në bazë të këtij ligji, ajo ka të drejtë në pension, shuma e të cilit është 70% e pagës të cilën e ka marrë si kryetare shteti. Po ashtu, Osmani dhe familja e saj (burri dhe fëmijët) kanë të drejtë në sigurim të plotë shëndetësor dhe shërbime mjekësore në spitalet ushtarake dhe publike gjatë tërë jetës. “Presidenti i Republikës së Kosovës pas përfundimit të mandatit, ka të drejtë në kompensim monetar kalimtar për një periudhë shtatë mujore të tranzicionit në jetën private. Fondet mund të përdoren për zyre, kompensim të stafit, shërbime të telekomunikacionit, shtypje dhe shërbime postare të ndërlidhura me periudhën tranzitore.” – thuhet në ligj. Presidentja Osmani dhe familja e saj kanë të drejtë të kenë përcjellje zyrtare, pra mbrojtje të afërt, për tri vitet e ardhshme. Në këto kushte, ish-presidentes i lejohet të marrë pjesë në manifestimet shtetërore sipas radhës protokolare në vend. Në rastin e Osmanit, bashkë me burrin e saj, Ligji u lejon që ta përdorin pasaportën diplomatike të Kosovës tërë jetën, kurse fëmijët e tyre kanë të drejtë deri në moshën 18-vjeçare. “Presidenti i Republikës së Kosovës ka të drejtë në shpenzimet materiale për aktivitetet e tij/saj, në rastet kur këto aktivitete ushtrohen në cilësinë e ish-Presidentit. Mjetet nga paragrafi 1 i këtij neni sigurohen nga buxheti i përcaktuar për Zyrën e Presidentit të Kosovës.” – thuhet në ligj. Ligji e përcakton se në periudhën pesë vjeçare pas përfundimit të mandatit të presidentit, nuk mund të jenë më shumë se tre persona në personel profesional të zyrës. “Presidenti angazhohet nga Qeveria e Kosovës në aktivitete shtetërore, atëherë periudha pesë vjeçare fillon nga përfundimi i angazhimit të Presidentit.” – thuhet në ligj. Presidentja Vjosa Osmani mbajti një adresim publik me rastin e përfundimit të mandatit të saj, duke falënderuar qytetarët për besimin dhe duke theksuar se shërbimi ndaj shtetit është nderi më i madh. Në fjalimin e saj drejtuar qytetarëve dhe mërgatës, më 04.04.2026 të publikuar në Facebook, ajo deklaroi se gjatë pesë viteve në krye të shtetit është udhëhequr nga parime të qarta: mbrojtja e interesit shtetëror, forcimi i aleancave ndërkombëtare dhe ruajtja e integritetit institucional. Pasi kaluan 24 orë që kur u përshëndet me Zyrën e Presidencës përmes një ceremonie, stafi i presidentes Osmani ndryshoi emrin në faqen zyrtare në Facebook nga ‘Presidenca e Republikës së Kosovës’ në ‘Zyra e Presidentes së 6-të të Republikës së Kosovës’. Gjatë mandatit, Osmani theksoi arritjet në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, përfshirë avancimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë, zgjerimin e njohjeve, liberalizimin e vizave dhe hapa drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO. Kurse, Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, sot ka zhvilluar një takim me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, me synim të gjetjes së një konsensusi për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Ky takim u zhvillua në kohën kur kanë mbetur edhe 22 ditë deri në përfundim të afatit të përcaktuar me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e kreut të shtetit. Me aktgjykimin e shpallur nga Kushtetuesja, më 25.03.2026, u përcaktua afati prej 34 ditësh për zgjedhjen e Presidentit, konkretisht deri më 28 prill. Nëse Presidenti nuk arrin të zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme që duhet të mbahen brenda 45 ditësh. Në anën tjetër, karriera politike e Vjosa Osmanit filloi si shefe e stafit të presidentit të atëhershëm Fatmir Sejdiu nga viti 2006 deri në vitin 2010; ajo ishte gjithashtu pjesë e komisionit për hartimin e Kushtetutës së Kosovës. Ajo u zgjodh deputete me LDK-në, dhe u bë gruaja e parë që u zgjodh kryetare e Parlamentit të Kosovës në shkurt të vitit 2020. Në zgjedhjet e atij viti, ajo mori më shumë vota se çdo kandidat tjetër parlamentar në Kosovë, më shumë se 300,000. Pastaj në nëntor të vitit 2020, ajo u ngrit edhe më tej, duke u bërë ushtruese e detyrës së Presidentes, kur Hashim Thaçi u detyrua të shkonte në paraburgim në Hagë, pasi u konfirmua aktakuza e tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Por marrëdhënia e saj me LDK-në, partinë së cilës i përkiste deri në qershor të vitit 2020, u shënua me ulje-ngritje. Rivaliteti i saj me kryeministrin e atëhershëm Isa Mustafa bëri që ajo të bllokohej nga kandidimi për postin e kryetarit të LDK-së në vitin 2015. Por popullariteti i saj ishte i qartë në kutitë e votimit, kur në zgjedhjet e vitit 2017, ajo u bë kandidatja e dytë më e mbështetur e LDK-së, edhe pse partia e renditi atë vetëm në vendin e 81-të në listën e saj, pjesërisht për shkak të marrëdhënieve të saj të tensionuara me udhëheqjen. Më pas, në vitin 2019, LDK e zgjodhi atë si kandidaten e saj për kryeministër, një garë zgjedhore që kjo parti e humbi ndaj Lëvizjes Vetëvendosje të Kurtit me një diferencë të vogël. Prishja me partinë e saj erdhi pas pak kohësh, kur ajo doli kundër rrëzimit të qeverisë së Kurtit në mes të pandemisë. Kur refuzoi të mbështeste një kabinet të drejtuar nga LDK në qershor 2020, ajo u shkarkua nga të gjitha pozicionet e saj në parti. Më pas ajo krijoi subjektin e saj politik, Guxo, i cili kandidoi në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosjen në zgjedhjet e shkurtit 2021. Një muaj më vonë, me LVV-në në pushtet, Osmani u zgjodh presidente, shkruan Kallxo.
Go to News Site