Telegrafi
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke paralajmëruar se nëse vendi shkon në zgjedhje të reja, LDK nuk do të japë vota as për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, e lëre më për presidentin e ri. Deklarata e Bajramit erdhi pas takimit të Kurtit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ku kryeministri theksoi se për zgjedhjen e presidentit po kërkon garanci për të pasur 85 vota, një numër që nuk mund ta sigurojë vetëm me LDK-në, e cila ka 15 deputetë. “Në vitin 2021, as nuk i kanë pasur 80 vota të sigurta, as kandidatja nuk ka qenë konsensuale. Sot, Kurti po kërkon figurë jopartiake dhe garanci me 85 vota. Veç një gjë duhet ta dimë: nëse shkojmë në zgjedhje prapë, as vota për Kryetarin e Kuvendit s’ka me pasë, e lëre më për presidentin,” ka shkruar Bajrami në Facebook më 6 prill 2026. Ajo akuzoi Kurtin se po e drejton vendin nga një bllokadë në tjetrën, me kontroll të plotë mbi buxhetin dhe institucionet, duke shtuar: “Të mjerët ne kush po na udhëheqë! Uroj ta kuptojmë sa më parë.” Në anën tjetër, kryeministri Kurti mbetet optimist për një marrëveshje politike, duke theksuar se takimi me Abdixhikun ka shkuar në një atmosferë konstruktive. “Na kanë ngelur edhe tri javë deri te zgjedhja e Presidentit. Takimi shkoi në atmosferë konstruktive. Jemi të përcaktuar të shmangim zgjedhje të reja,” tha Kurti. Takime në përpjekje për zgjedhjen e presidentit kanë zhvilluar edhe partitë e tjera. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i është përgjigjur ftesës së Kurtit, por ka kërkuar që iniciativa të formalizohet përmes një letre zyrtare, për të garantuar seriozitet institucional. Sipas afateve të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhja e presidentit duhet të bëhet brenda 22 ditësh, përndryshe vendi shkon automatikisht në zgjedhje të reja brenda 45 ditësh pas 28 prillit. Aktualisht, vendi drejtohet nga ushtruese detyre e Presidentes, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit më 4 prill 2026.
Go to News Site