Telegrafi
Nick Woltemade mund të rikthehet në Bundesliga gjatë verës së ardhshme, në një kohë kur Borussia Dortmund po përgatitet për ndryshime të rëndësishme në repartin ofensiv. E ardhmja e Serhou Guirassy mbetet e paqartë, pasi sulmuesi nuk ka bindur plotësisht në javët e fundit dhe sipas raportimeve më të fundit, është i hapur për një largim në fund të sezonit. Performanca e tij në ndeshjen ndaj Stuttgart (2-0), ku u zëvendësua në minutën e 60-të nga trajneri Niko Kovac, ka shtuar edhe më shumë spekulimet rreth një transferimi të mundshëm. Në këtë kontekst, drejtuesit e Dortmundit kanë nisur kërkimet për një zëvendësues të denjë. Sipas mediave gjermane, në krye të listës së alternativave është Fisnik Asllani i Hoffenheimit, por transferimi i tij konsiderohet i vështirë për shkak të konkurrencës së madhe nga klube të tjera. Një tjetër opsion që po shqyrtohet është edhe Woltemade, për të cilin interesimi i “Verdhezinjve” nuk është i ri. Megjithatë, drejtuesit e klubit janë të vetëdijshëm se çdo lëvizje për të do të kërkojë kohë dhe durim, pasi lojtari është i fokusuar te përfundimi i sezonit me Newcastle United dhe te angazhimet ndërkombëtare të ardhshme. Pas një fillimi premtues në Ligën Premier, forma e sulmuesit ka rënë ndjeshëm, me golin e fundit në kampionat që daton në muajin dhjetor. Nëse kjo situatë vazhdon, një largim mund të bëhet i mundur, por Dortmundi nuk planifikon të shpenzojë shuma të mëdha dhe po konsideron opsionin e një huazimi për lojtarin, për të cilin klubi anglez ka investuar rreth 75 milionë euro. /Telegrafi/
Go to News Site