Telegrafi
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka zhvilluar një vizitë pune në terren përgjatë aksit rrugor Kijevë–Pejë, në kuadër të projektit të rrugës nacionale N9 Prishtinë–Pejë, i konsideruar me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e qarkullimit në vend. Gjatë kësaj vizite, ministri është informuar nga afër për ecurinë e punimeve në segmentet kryesore të projektit, ndërsa ka zhvilluar takime edhe me përfaqësues të operatorëve ekonomikë dhe mbikëqyrësit e punimeve. Në fokus të diskutimeve kanë qenë dinamika e realizimit të punimeve, respektimi i afateve të përcaktuara dhe adresimi i sfidave që po paraqiten në terren. Ministri Basha ka kërkuar angazhim të shtuar nga të gjithë operatorët e përfshirë, duke theksuar nevojën për përmbushje të obligimeve kontraktuale dhe realizim të punimeve në përputhje me standardet e kërkuara të cilësisë. Projekti i rrugës nacionale N9 Prishtinë–Pejë mbetet një nga projektet prioritare të ministrisë, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe në përmirësimin e lidhjes ndërmjet rajoneve të vendit. / Telegrafi /
Go to News Site