Telegrafi
Kur kanë mbetur hiç më shumë se 20 ditë deri në skadimin e afatit për zgjedhjen e Presidentit, Lëvizja Vetëvendosje si parti në pushtet, ende nuk e ka takuar partinë më të madhe opozitare, PDK-në. Përkundër që në terren deri tash u bë fare pak punë me asnjë propozim të ri, nga Vetëvendosje besojnë që në vazhdim do ketë më shumë përpjekje. “Besoj që gjatë këtyre ditëve do t’i intensifikojë përpjekjet për të gjetur një zgjidhje dhe që presidenti të votohet brenda afatit të Kushtetueses. Sepse jemi të bindur që vendit i duhet një president i zgjedhur në Kuvend, pasi zgjedhjet e reja nuk do të sjellin asnjë rezultat tjetër dhe janë të panevojshme”, ka deklaruar Arbërie Nagavci, Shefe e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes. Partia Demokratike e Kosovës, e ka ritheksuar qëndrimin e kryetarit të saj, Bedri Hamza se në cfarë formati dhe kur do të mund të pranonin t’i shkonin në takim kryetarit të VV-së, njërit kryeminsitrit Albin Kurti. “Kryetari Hamza i ka kthyer përgjigje z. Kurti lidhur me ftesën për takim. Atij i është kërkuar që ta konkretizojë iniciativën e tij të re përmes një letre zyrtare, në mënyrë që të rritet serioziteti në trajtimin e kësaj çështjeje. Pas këtij konkretizimi nga ana e tij, çështja do të shqyrtohet në organet e partisë dhe më pas do të paraqitet qëndrimi përfundimtar i PDK-së”, ka deklaruar Vlora Çitaku, Sekretare e Përgjithshme e PDK-së. Deputetët që ishin pjesë e mbledhjes së kryesisë, s’gjetën marrëveshje as për një çështje tjetër – Rezolutën e PDK-së në mbrojtje të vlerave të luftës, andaj, as nuk u miratua rendi i ditës për seancën plenare që u caktua për të premten. “Nuk pati dakordim. Pra, nuk pati dakordim në kërkesën time sepse kishte një grup parlamentar, siç ishte PDK-ja që insistonte që kjo të jetë pikë e parë dhe në anën tjetër nga Vetëvendosje që kjo të radhitet në fund të rendit të ditës”, ka theksuar Albulena Haxhiu, Kryetare e Kuvendit. PDK vazhdon të insistojë që të vendoset si e para në rendin e ditës, në të kundërt nuk e përjashtojnë mundësinë që sërish ta braktisin seancën. “Jemi të bindur që kjo rezolutë duhet të vendoset si e para në rendin e ditës, meqenëse është prioritet besoj i të gjithëve mbrojtja e vlerave të luftës”, ka deklaruar Vlora Çitaku, Sekretare e Përgjithshme e PDK-së. Por, nga Vetëvendosje vazhdojnë të insistojnë që paraprakisht të diskutohet në grup punues. Ndërkohë, kërkesa e PDK-së e gëzon mbështetjen e LDK-së dhe AAK-së. Në seancën e së premtes, në rend të ditës pritet që të vendosen edhe katër marrëveshje ndërkombëtare si dhe rezoluta e LDK-së për çmimet e derivateve. - YouTube www.youtube.com
Go to News Site