Collector
​S’ia dalin të përfshihen në rend të ditës disa projektligje në seancën e Kuvendit | Collector
​S’ia dalin të përfshihen në rend të ditës disa projektligje në seancën e Kuvendit
Telegrafi

​S’ia dalin të përfshihen në rend të ditës disa projektligje në seancën e Kuvendit

Disa projektligje, siç u konsideruan të rëndësishme nga shumica parlamentare e LVV-së, nuk u përfshinë në rendin e ditës në seancën e sotme plenare. Mes projektligjeve të cilat nuk morën votat e dy të tretave të deputetëve për shmangie procedurale ishin edhe Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore në rastet e destabilizimit dhe Projektligji për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor. Shqyrtimin e këtyre projektligjeve me procedurë të përshpejtuar nuk e mbështetën partitë opozitare. Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, duke kërkuar shqyrtimin e këtyre projektligjeve, tha se të njëjtat janë në interes të qytetarëve. “Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg. Projektligjin për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor, projektligjin për shërbimet e pagesave, projektligjin për Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030, Projektligjin për banim social dhe të përballueshëm, projektligjin për shtetësinë”, tha ajo. Por shqyrtimi i këtyre projektligjeve në këtë formë, sipas shefit të deputetëve të PDK-së, Arian Tahiri, është vetëm një tendencë e qeverisë për të ndërtuar agjendë të fushatës zgjedhore në rast të moszgjedhjes së presidentit. “Këto propozime nuk janë asnjë prej tyre urgjente dhe si të tilla nuk i mbështes që të mundësohet të trajtohen jashtë procedurave të rregullta. Kjo është një tendencë e qeverisë që të ndërtojë agjendë të fushatës zgjedhore dhe jo të trajtojë me seriozitet tema të rëndësishme”, tha ai. Kundër shqyrtimit të këtyre projektligjeve në seancën e sotme u shpreh edhe Jehona Lushaku e LDK-së. “Projektligje të cilat kanë kaluar këtë javë në komisione dhe po vijnë për t’u miratuar në procedurë të përshpejtuar në seancë. Temat që këto projektligje trajtojnë janë të rëndësishme për qytetarët, por jo për periudhën në të cilën duhet të shqyrtohen. Prandaj kjo urgjencë është e paarsyeshme dhe nuk do të përkrahet nga ne”, deklaroi ajo. Po ashtu edhe Besnik Tahiri u shpreh kundër shqyrtimit të këtyre projektligjeve gjatë seancës së sotme. “Nuk ka logjikë të prishet rendi i ditës i institucionit që duhet të jetë më i disiplinuar. Ne nuk e mbështesim, por kërkoj prej kryetares që kjo të mos kthehet në praktikë parlamentare”, shtoi ai. E opozitarëve iu kundërpërgjigj kryeparlamentarja, Albulena Haxhiu, e cila tha se partitë nuk duhet të harrojnë afatin kushtetues për zgjedhjen e presidentit, i cili është deri më 28 prill. Sipas saj, pa paragjykuar situatën, duhet të trajtohen çështjet që adresojnë interesat e qytetarëve. “Në rrethanat që jemi, ku kemi një afat kushtetues për të zgjedhur presidentin, nuk duhet të sillemi sikurse asgjë po ndodh dhe nuk varemi nga një afat kushtetues. Duke qenë se kemi 27 prillin për të zgjedhur presidentin dhe uroj që të arrijmë ta bëjmë këtë, por detyrohemi që çështjet t’i adresojmë që janë me interes për qytetarët”, theksoi ajo. /kp/

Go to News Site