Telegrafi
Bisedimet për paqe mes SHBA-së dhe Iranit pritet të nisin sot në Islamabad. Delegacioni iranian ka arritur në Pakistan, i udhëhequr nga kryetari i parlamentit dhe ministri i Jashtëm i vendit. Në minutat e fundit, burime nga vendi kanë raportuar se edhe delegacioni amerikan – i kryesuar nga nënpresidenti JD Vance – ka zbritur. Para nisjes së bisedimeve, kryetari i parlamentit të Iranit paraqiti dy kushte për një marrëveshje - një armëpushim në Liban; lirimin e aseteve iraniane të ngrira. SHBA dhe Irani në bisedime për t’i dhënë fund luftës - pesë gjëra që duhet të dini Sipas palës iraniane, të dyja këto masa ishin pjesë e marrëveshjes fillestare të arritur më herët gjatë kësaj jave. Nga ana e tij, presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se Irani nuk ka asnjë kartë në tryezën e negociatave dhe këmbënguli se SHBA-ja do ta rihapë Ngushticën e Hormuzit “shumë shpejt”. Ai shtoi gjithashtu se pengimi i Iranit për të siguruar armë bërthamore përbën “99 për qind të çështjes”. Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, në një fjalim drejtuar kombit mbrëmjen e kaluar, theksoi rëndësinë e këtyre bisedimeve “armëpushimi i përhershëm është faza e ardhshme e vështirë, që kërkon zgjidhjen e çështjeve komplekse përmes negociatave. Kjo është, siç thuhet në anglisht, një fazë vendimtare”. MINUTË PAS MINUTE - A po funksionon armëpushimi SHBA-Iran? Po Libani? Ndërkohë, bisedimet për armëpushim mes Libanit dhe Izraelit pritet të zhvillohen në SHBA javën e ardhshme. Pushtimi dhe bombardimet e Izraelit në Liban kanë shtuar presionin mbi armëpushimin dhe mbi bisedimet e sotme. Numri i viktimave nga sulmet izraelite në Liban më herët gjatë kësaj jave ka arritur në 357, sipas ministrisë së shëndetësisë së vendit. /Telegrafi/
Go to News Site