Telegrafi
Nga: Kolegjiumi i redaksisë i ditores California Post Rrallëherë shprehja “mirë që ikën” ka dalë më lehtë nga goja. Është kënaqësi të shohësh Administratën Trump të dëbojë shtetas të huaj që shijojnë lirinë e ShBA-së ndorkohë që bëjnë tifozeri për armiqtë e ShBA-së. Në javët e fundit, The California Post ka raportuar gjerësisht për shtetas iranianë - kryesisht të afërm të përkëdhelur të elitave të regjimit në Teheran - që çojnë jetë luksi në Shtetet e Bashkuara. Për amerikanët, kjo është poshtëruese. Mund të jetë gjithashtu kërcënim për sigurinë kombëtare. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, e kupton këtë dhe ka anuluar sistematikisht kartat e gjelbra të vizitorëve të huaj të lidhur me armiqtë e ShBA-së. Boll mirë. - Lexo po ashtu: Familjet e anëtarëve të regjimit iranian që jetojnë në luks në ShBA Departamenti i Shtetit njoftoi për më shumë dëbime (në pritje) të shtunën - pasi autoritetet arrestuan Seyed Eissa Hashemin, djalin e një propagandisteje të quajtur “Maria që ulërin” e njohur për retorikën e saj të ndyrë antiamerikane. Kjo nënë zëdhënëse, Masoumeh Ebtekar, ishte mbështetëse e paturpshme e militantëve që rrëmbyen 52 amerikanë nga Ambasada e ShBA-së në Teheran në vitin 1979 dhe i mbajtën peng për 444 ditë. Dhe, tani, familja e saj jeton - në luks - në prehrin e të njëjtit “Djall të Madh” që ajo e përçmoi gjatë dhe zëshëm Jo. Nuk duhet të jetë kështu. Shtetasit e huaj që dënojnë Amerikën, promovojnë armiqtë e ShBA-së dhe bëjnë aleanca me ata që do të shkatërronin Perëndimin, nuk kanë pse të jetojnë në Shtetet e Bashkuara. Prandaj, është mirë që Trumpi dhe të tijtë kanë anuluar kartat e gjelbra për të farefisin e kërcënuesve iranianë, duke përfshirë: - Mbesën dhe stërmbesën e udhëheqësit të ndjerë të Forcës Kuds, Qassem Soleimani. - Tre anëtarë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit. - Vajza e ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Iranit. Sajonara, të gjithëve. Merrni parasysh, për një moment, rastin e mbesës së Soleimanit. Autoritetet federale e akuzuan Hamideh Soleimani Afsharin për përhapje të propagandës iraniane, për brohoritje ndaj sulmeve kundër forcave të ShBA-së, për lavdërim të Udhëheqësit të ri Suprem të Iranit dhe (sigurisht) për sharje të Amerikës si “Djalli i Madh” - të gjitha këto nga rehatia e Los Anxhelosit. E habitshme, apo jo? Nëse vërtet besojnë se ShBA-ja është “Djalli i Madh”, atëherë pse të vendosen dhe të ndërtojnë jetën këtu? Kjo hipokrizi nuk është risi, me një varg rastesh të tjera që shtrihen ndër vite. Por, mungesa e risisë nuk e bën sjelljen më pak të neveritshme. Jeta luksoze e këtyre elitave në ShBA është gjithashtu një fyerje për iraniano-amerikanët dhe për popullin e Iranit që e urren një regjim mizor që i ka torturuar dhe shtypur për dekada. Në dhjetor dhe janar, qeveria e Iranit vrau mijëra iranianë që kërkonin liri dhe ndryshim regjimi. Shumë iraniano-amerikanë krenarë, përfshirë ata në “Teheranxholesit” në Los Anxhelosin Perëndimor, kanë të afërm që vazhdojnë të jetojnë në kushte brutale në Iran. Ata që janë të lidhur me terroristët e regjimit iranian nuk kanë vend këtu. Lavdërime për Rubio që i ka dëbuar. /Telegrafi/
Go to News Site