Telegrafi
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, pritet të përballet me një sërë përgjegjësish kushtetuese gjatë periudhës së saj në këtë post, ndërsa njohësit e Kushtetutës theksojnë se roli i saj nuk dallon nga ai i një presidenti të zgjedhur. Sipas tyre, Haxhiu sfidën e parë e ka emërimin e anëtarit të dhjetë të KQZ-së, për të cilin ka mospajtime mes LVV-së dhe PDK-së. Madje, të njëjtit theksojnë se kjo çështje pritet të bëhet objekt shqyrtimi në Gjykatën Kushtetuese, në cilëndo vendimmarrje të saj, raporton KosovaPress. Sipas ish-anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ushtrimi i këtij funksioni nuk nënkupton kufizim kompetencash. Ai thekson se presidenti në detyrë ka në dispozicion të gjitha kompetencat kushtetuese dhe duhet të veprojë mbi bazën e tyre. Kryeziu vlerëson se ky rol kërkon paanshmëri të plotë, duke qenë se presidenti është garantues i unitetit të vendit dhe funksionimit të institucioneve shtetërore. “I ka tridhjetë kompetenca, nuk i ka kompetencat e zvogëluara që i ka kryeministri në detyrë dhe ka të drejta si të ishte president i zgjedhur. Ajo mund të veprojë në bazë të Kushtetutës, nuk duhet të jetë e anshme, pasi presidenti është faktor uniteti dhe neutral. Duhet të vendosë në bazë të interesit të Kushtetutës dhe institucioneve shtetërore të Kosovës”, thotë ai. Në anën tjetër, avokati Arbër Jashari thekson se gjatë mandatit të përkohshëm, Haxhiu mund të ushtrojë të gjitha kompetencat që lidhen me këtë post, përfshirë nënshkrimin dhe shpalljen e ligjeve në Gazetën Zyrtare. Ai paralajmëron se ajo mund të përballet edhe me vendime më të ndjeshme, siç janë propozimet për emërime në institucione të pavarura, ku shpeshherë mungon konsensusi politik, siç është rasti në KQZ. Megjithatë, sipas Jasharit, fakti që bëhet fjalë për një mandat të përkohshëm e rrit përgjegjësinë për të vepruar me kujdes dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën. Ai thekson se çdo vendim duhet të jetë në funksion të stabilitetit institucional dhe rendit kushtetues. “Zonja Haxhiu është ushtruese e detyrës së presidentit dhe i ka kompetencat e plota sikur të ishte një president i zgjedhur në këta gjashtë muaj. Para saj mund të vijnë ligje që ajo do t’i nënshkruajë për t’i shpallur në Gazetën Zyrtare. Por mund të përballet me propozime për të cilat palët nuk janë dakord, siç është rasti i zgjedhjes edhe të një anëtari të KQZ-së. Gjithsesi, ajo e di se është një mandat i përkohshëm dhe është shumë e rëndësishme që secili që do të ishte në atë pozitë, edhe zonja Haxhiu, të veprojë në përputhje me Kushtetutën”, deklaron avokati Jashari. Haxhiu, si kryetare e Kuvendit, ka marrë detyrën e presidentit më 5 prill, pas përfundimit të mandatit pesë vjeçar të Vjosa Osmanit. Ajo mund ta ushtrojë këtë detyrë deri më 5 tetor, nëse nuk zgjidhet presidenti i ri deri më 28 prill, afat ky i dalë nga aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese./kp/
Go to News Site