Telegrafi
Trafiku në një qytet bregdetar australian u devijua për pak kohë të premten, kur një fokë vendosi të bënte një sy gjumë në rrugë. Foka e përgjumur u pa duke fjetur në një rrugë në Dromana në shtetin jugor të Viktorias, transmeton Telegrafi. Policia lokale vendosi kone rreth fokës - e njohur nga disa vendas si Sammy - e cila mund të shihej duke u rrezitur në diell pa u shqetësuar shumë për trafikun. "Nuk e di se ku do të shfaqet më pas", tha për AFP-në Laura Ellen, vendase, e cila e pa kafshën duke fjetur. "Ai zakonisht fle gjithë ditën. Më bëri të qeshja kur e pashë në rrugë. Nuk e kisha parë ta bënte këtë më parë", tha ajo. Foka më vonë u ridrejtua përsëri në plazh nga shpëtimtarët e kafshëve të egra dhe korsia u rihap. Fokat janë një pamje e zakonshme përgjatë bregdetit të Viktorias dhe është e paligjshme t'i prekësh ose t'i ushqesh ato, thotë qeveria e shtetit. /Telegrafi/
Go to News Site