Telegrafi
Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, ka arrestuar sot në fshatin Soqanicë të Leposaviçit një të dyshuar mashkull, shtetas kosovar i nacionalitetit serb, nën dyshimin për kryerje të veprës penale “Krime lufte kundër popullatës civile”. Sipas hetimeve të zhvilluara, i dyshuari, gjatë periudhës së luftës në Kosovë, në cilësinë e pjesëtarit të MUP-it të Serbisë dhe i sistemuar në Stacionin Policor të Skenderajt, dyshohet se në mars të vitit 1999 ka marrë pjesë në një operacion policor-ushtarak, së bashku me pjesëtarë të tjerë të organizuar në grup. Ai, sipas Policisë, i uniformuar dhe i armatosur, dyshohet se ka qenë i përfshirë në dëbimin me dhunë të civilëve nga pronat e tyre, si dhe në rrahjen, torturimin, plagosjen dhe vrasjen e 15 civilëve shqiptarë, si dhe në zhdukjen e 16 civilëve të tjerë në dy lokacione në Skenderaj. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit, ndërsa me aktvendim të prokurorit të rastit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
Go to News Site