Telegrafi
Këngëtari skocez Lewis Capaldi ka reaguar me shumë humor pasi një postim në rrjete sociale u bë viral, duke e ngatërruar gabimisht me burrin që ishte pranë Kim Kardashian në festivalin Coachella. Në vend të pilotit të Formula 1, Lewis Hamilton – me të cilin Kim përflitet se mund të jetë në një lidhje – autori i postimit “pa” Capaldin, gjë që shkaktoi një valë komentesh gazmore. Kim Kardashian në festival u pa së bashku me Lewis Hamiltonin, me të cilin ka miqësi prej vitit 2014, ndërsa kohët e fundit po shtohen spekulimet se mes tyre mund të ketë diçka më shumë. Edhe pse asnjëri prej tyre nuk ka folur publikisht për një lidhje, Hamilton e ka përfshirë së fundmi Kim-in në një postim në Instagram, ndërsa në Coachella u pa pranë saj, duke u përpjekur të mos binte shumë në sy – i mbuluar me një shall dhe me bluzë me kapuç. Pikërisht kjo veshje, sipas komenteve, mund të ketë ndihmuar që të ndodhte ngatërrimi. Të dielën, profili Distinct Post në rrjetin social X publikoi një video të Kim Kardashian dhe Lewis Hamiltonit në mesin e publikut, dhe postimi u përhap me shpejtësi. “Lewis Capaldi u pa me Kim Kardashian në Coachella gjatë performancës së mbrëmshme të Justin Bieber”, shkruhej në postim. Edhe pse profili (aktiv që nga viti 2022) ka vetëm rreth 178 ndjekës, videoja u pa mbi 16.5 milionë herë, duke e kthyer ngjarjen në temë humori në rrjet. Shumë përdorues u argëtuan me idenë e një “romance” mes Kim Kardashian dhe Lewis Capaldit. Një person publikoi një fotomontazh të tyre në makinë dhe shkroi: “Çifti im i preferuar”. Një tjetër komentoi: “Atëherë Kim është me fat”, ndërsa një i tretë bëri shaka me sukseset e Hamiltonit: “Fiton shtatë tituj kampioni bote, vetëm që të të thërrasin Lewis Capaldi”. Nuk vonoi dhe postimi mbërriti edhe te vetë Lewis Capaldi, i cili reagoi në stilin e tij tipik, me sarkazëm. Ai e rishpërndau postimin dhe shkroi: “Wow, njerëz, vërtet nuk është në rregull që kështu të na shkelni privatësinë”. Megjithatë, një pjesë e përdoruesve nuk e kuptuan menjëherë shakanë. Njëri shkroi se “po mundohet të ketë një takim sekret me një miliardere në një event publik dhe pastaj ankohet kur e marrin vesh”, ndërsa Capaldi iu përgjigj: “A është dita jote e parë në planet?” Një tjetër përdorues komentoi: “Imagjino të mendosh se ke privatësi në një nga eventet më të filmuara të vitit”, dhe këngëtari ia ktheu shkurt: “Je budalla, vëlla”. Pavarësisht kësaj, shumica e njerëzve e kuptuan ironinë dhe vazhduan me të njëjtin ton. Një komentues madje bëri shaka: “Shpresoj që ti dhe Kim jeni mirë… sidomos në mes të ‘sezonit tënd të garave’”, duke aluduar për karrierën e Hamiltonit. Në fund reagoi edhe profili që e nisi gjithë historinë, duke pranuar se bëhej fjalë për një gabim. “Njerëz, ishte thjesht një gabim në shkrim . Pa dashje e ‘promovova’ Lewis Hamiltonin në Lewis Capaldi”, shkruajtën ata. /Telegrafi/
Go to News Site