Collector
Mitrovicë, janë gjetur eshtrat e 9-vjeçarit Sinan Dauti, i rrëmbyer gjatë luftës nga forcat serbe | Collector
Mitrovicë, janë gjetur eshtrat e 9-vjeçarit Sinan Dauti, i rrëmbyer gjatë luftës nga forcat serbe
Telegrafi

Mitrovicë, janë gjetur eshtrat e 9-vjeçarit Sinan Dauti, i rrëmbyer gjatë luftës nga forcat serbe

Ditë më parë në varrezat e fshatit Suhodoll të Mitrovicës janë gjetur eshtrat e 9-vjeçarit Sinan Dauti nga Prekazi i Epërm, të cilin më 12.04.1999 e kishin marrë forcat serbe. Rivarrimi i 9-vjeçarit do të bëhet të shtunën, më 18.04.2026. Kështu ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti, i cili bashkë me ministrin Andin Hoti ishin për ngushëllime në familjen Dauti në Prekaz të Epërm të Skenderajt. “Për fatin e tij u kuptua vetëm pas 27 vitesh… Dhimbja e kësaj familjeje nuk është vetëm e tyre, është plagë e hapur e gjithë popullit tonë. Rivarrosja e eshtrave të Sinanit, është një akt i rëndë emocional, por edhe një akt i vonuar i dinjitetit njerëzor. Sepse çdo i rënë për liri meriton emër, vend dhe kujtim të përhershëm” – ka shkruar Kurti në Facebook. Kurti ka theksuar se kurrë nuk duhet të harrojmë që në gjakun e martirëve dhe dëshmorëve i ka rrënjët liria dhe themelet e shtetit. “Ne kemi për detyrë që të qëndrojmë pranë familjeve, jo vetëm në ditë përkujtimi, por në përpjekjen e vazhdueshme për zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe për vendosjen e drejtësisë” – ka shtuar Kurti. Kurti vlerëson se pa drejtësi nuk ka paqe të plotë dhe pa të vërtetën nuk ka pajtim të qëndrueshëm.

Go to News Site