Collector
BE nis pagesën e parë prej 61.8 milionë euro për Kosovën në kuadër të Planit për Rritje Ekonomike | Collector
BE nis pagesën e parë prej 61.8 milionë euro për Kosovën në kuadër të Planit për Rritje Ekonomike
Telegrafi

BE nis pagesën e parë prej 61.8 milionë euro për Kosovën në kuadër të Planit për Rritje Ekonomike

Bashkimi Evropian ka nisur bartjen e mjeteve të parafinancimit në vlerë prej 61.8 milionë euro për Kosovën, në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike për Ballkanin Perëndimor. Sipas njoftimit, ky hap vjen pas ratifikimit në Kuvendin e Kosovës të marrëveshjeve të lidhura me planin dhe dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm nga Qeveria e Kosovës. “Pas ratifikimit në Kuvend të Kosovës të Marrëveshjeve të lidhura me Planin e BE-së për Rritje Ekonomike dhe dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm nga Qeveria, Komisioni Evropian ka nisur bartjen e mjeteve të parafinancimit prej 61.8 milionë eurosh për Kosovën”, thuhet në njoftim. Parafinancimi përbën 7% të shumës totale prej 882.6 milionë eurosh, që Kosova pritet të përfitojë deri në fund të vitit 2027 në formë grantesh dhe kredish të favorshme. “Këto mjete do të përkrahin zbatimin e Agjendës së Reformave të Kosovës dhe projekte kyçe në infrastrukturë të mbështetura nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF)”, thuhet më tej. Nga 61.8 milionë, 28.74 milionë euro janë transferuar sot si kredi në buxhetin e Kosovës, ndërsa pjesa tjetër prej 33.04 milionë euro (17.73 milionë grante dhe 15.31 milionë kredi) do të kanalizohet përmes WBIF-it. Në kuadër të Agjendës së Reformave, Kosova është zotuar për zbatimin e 111 hapave reformues në fusha të ndryshme. “Në Agjendën e vet të Reformave që është bazë për ndarjen e mjeteve të Planit të BE-së për Rritje Ekonomike – Kosova është zotuar të zbatojë 111 hapa reformash, duke mbuluar fusha kyçe si sundimi i ligjit, qeverisja, zhvillimi ekonomik, tranzicioni i gjelbër dhe ai digjital, si dhe kapitali njerëzor”, thuhet në njoftim. Afati i parë përfundimtar i pret 13 hapa të reformave që së bashku kapin vlerën prej 90.8 milionë eurosh, të cilat priten deri më 30 qershor 2026. Për më tepër, fundi i këtij viti shënon afatin përfundimtar për 27 hapa të tjerë të reformave që kapin vlerën prej 165.9 milionë eurosh. BE thekson se pagesat do të varen nga zbatimi i reformave të dakorduara. “Pagesat sipas Planit për Rritje Ekonomike do të bëhen në mënyrë progresive me zbatimin nga Kosova të reformave të dakorduara. Nëse nuk përfundohen brenda afateve të përcaktuara hapa të caktuar të reformave, nuk do të disbursohen mjetet përkatëse”, thuhet më tej. Shefja në detyrë e Zyrës së BE-së në Kosovë, Eva Palatova, ka theksuar rëndësinë e planit për reforma dhe integrim evropian. “Bashkimi Evropian qëndron përkrah Kosovës në rrugën e integrimit në BE. Plani për Rritje Ekonomike ofron mundësi konkrete për përshpejtim të reformave të lidhura me BE-në dhe për afrim më të madh të ekonomisë së Kosovës me tregun e përbashkët të BE-së”, ka deklaruar ajo. Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendi është i përkushtuar në zbatimin e reformave. “Kosova është e përkushtuar për zbatim në kohë të Agjendës së Reformave, si dhe për t’i shfrytëzuar plotësisht mundësitë e ofruara nga Plani për Rritje Ekonomike. Vërtet është humbur pak kohë, por ne do të bëjmë çmos t’i përshpejtojmë reformat dhe t’i përmbushim zotimet tona”, u shpreh Kurti. BE mbetet një nga donatorët më të mëdhenj në Kosovë, me miliarda euro të investuara në vend që nga viti 1999, ndërsa përmes këtij plani synohet përshpejtimi i reformave dhe afrimi i Kosovës me tregun evropian. /Telegrafi/

Go to News Site