Collector
Pika kufitare në Çakorr në “pritje” të vullnetit politik, çfarë thonë nga Komuna e Pejës para protestës së paralajmëruar më 25 prill - heshtje nga ministritë | Collector
Pika kufitare në Çakorr në “pritje” të vullnetit politik, çfarë thonë nga Komuna e Pejës para protestës së paralajmëruar më 25 prill - heshtje nga ministritë
Telegrafi

Pika kufitare në Çakorr në “pritje” të vullnetit politik, çfarë thonë nga Komuna e Pejës para protestës së paralajmëruar më 25 prill - heshtje nga ministritë

Banorë dhe aktivistë nga Peja, Plava, Gucia dhe Andrijevica kanë paralajmëruar një protestë paqësore më 25 prill, me kërkesën kryesore funksionalizimin e rrugës dhe hapjen e pikës kufitare në Çakorr, që do të lehtësonte lidhjen mes Kosovës dhe Malit të Zi. Protesta do të mbahet nën sloganin “Mjaft me izolim!” dhe pritet të zhvillohet në zonën Kotlovi – Kuçishtë, në malin e Çakorrit. Organizatorët kërkojnë nga institucionet qendrore në Kosovë dhe në Mal të Zi që të trajtojnë këtë çështje si prioritet dhe të mundësojnë hapjen e pikës kufitare. Në lidhje me këtë çështje, Telegrafi ka kontaktuar me Faik Zekajn, shefin e kabinetit të kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri - i cili theksoi se komuna nuk ka kompetencë direkte për këtë projekt, por ka qenë e angazhuar në ngritjen e kësaj kërkese në nivel qendror. Foto: Faik Zekaj, shefi i Kabinetit të kryetarit të Pejës “Rruga Pejë-Kuçishtë-Çakorr është rrugë regjionale është në kuadër të Ministrisë së Infrastrukturës edhe për shkak se lidh dy shtete, Kosovën me Malin e Zi”, tha ai. “Kjo është një prej arsyeve që edhe ne kemi kërkuar dhe nuk ka qenë në kompetencën tonë, hapja e kësaj rruge”. Zekaj shtoi se, sipas tij, nga pala malazeze ka pasur gatishmëri për hapjen e pikës kufitare, ndërsa mungon një vullnet i tillë nga institucionet vendore. “Na në çdo takim kemi kërkuar edhe në institucione vendore, edhe në institucionet e Malit të Zi. E kemi parë një vullnet të institucioneve të Malit të Zi me hapë, po deri më tash vetëm në institucionet tona s’e kemi parë vullnet që më hap kufirin në Çakorr dhe kjo po duket si arsye politike”, bëri të ditur ai. “Mjaft me izolim”: Më 25 prill protestë për hapjen urgjente të pikës kufitare në Çakorr Ai theksoi se hapja e kësaj pike kufitare do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe turistik të rajonit, si dhe në lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve. “Edhe qytetarët janë të vetëdijshëm që si rrugë, ajo pjesë e rrugës nuk është në kuadër të komunës, pra ata kanë kërkuar njëfarë mbështetje që na në çdo takim kemi kërkuar që të hapet ajo pikë kufitare dhe të shtrohet rruga”, deklaroi Zekaj. “Ajo pjesë është pjesa më kryesore për zhvillimin e turizmit, sidomos për bjeshkët e Rugovës, po ashtu edhe për shkak të qasje më të lehtë të shqiptarëve të Plavës e të Gucisë, që e kanë më lehtë qasjen edhe me ardhë në qytetin e Pejës”, përfundoi ai. Telegrafi ka tentuar të marrë qëndrim edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka pranuar përgjigje. / Telegrafi /

Go to News Site