Collector
“Na iku gjysma e jetës sonë”, vëllai i Liridona Ademajt me apel i fortë për drejtësi në gjykatë | Collector
“Na iku gjysma e jetës sonë”, vëllai i Liridona Ademajt me apel i fortë për drejtësi në gjykatë
Telegrafi

“Na iku gjysma e jetës sonë”, vëllai i Liridona Ademajt me apel i fortë për drejtësi në gjykatë

Burgim të përjetshëm për Naim Murselin, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla ka kërkuar edhe Leonard Ademaj, vëllai i të ndjerës, Liridona Ademaj. Ai në fjalën e tij përfundimtare sot të dhënë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, tha se çdo dënim tjetër e cenon e denigon motrën e tij tashmë të ndjerë Liridona Ademaj. “Ditën e vrasjes së Liridonës, me të iku edhe gjysma e shpirtit dhe e jetës sonë. Na ka mbetur edhe një gjysmë e jetës, të cilën e keni në duar ju ta vendosni, se a duhet të jetojmë me frikë apo duhet të ndihemi të sigurt në vendin tonë. Andaj, kërkojmë që dënimi të jetë me burgim të përjetshëm. Çdo dënim tjetër e cenon, e denigron Liridonën, vendin, shoqërinë dhe vetëdijen e popullit tonë për këtë krim makabër. Vetëm vuajtja e dënimit do të lehtëson sadopak”, tha ai. Vëllai i Liridona Ademaj tha se një gjë është e qartë se Naim Murseli e ka organizuar këtë vrasje bashkë me Kushtrim Kokallën duke zgjedhur Granit Plavën si vrasës. “Shqiptarët kudo që janë, një gjë e kanë të qartë se Naimi e ka organizuar këtë vrasje, së bashku me Kushtrimin, duke e zgjedhur Granitin si vrasës. Ne kemi parë dhe dëgjuar shumë gjëra këtu. Kemi qenë prezent të gjithë, kur në së paku 22 video-kamera janë kapur Naimi, Graniti dhe Kushtrimi. Ne kemi parë edhe përputhshmërinë e deklaratave të tyre, të cilat lidhen ngushtë me njëra-tjetrën. Nuk dua t'i citoj të gjitha, por disa nga ato po besoj duhen të citohen. Në deklaratat e dhëna, Kushtrimi thotë: Naimi më ka thënë një vit para që ta vras Liridonën.....Graniti thotë: Naimi më ka ofruar 30,000 euro për ekzekutim. Graniti thotë: sa herë jemi takuar me Naimin, Kushtrimi ka qenë prezent. Graniti thotë, Kushtrimin e kam shok të ngushtë. Naimi thotë ka kërkuar që Liridona me u vra gjithsesi. Graniti thotë: Naimi ka qenë i armatosur në momentin e vrasjes dhe më ka thënë 'gjuaj, gjuaj'. Graniti thotë: Naimi më ka jep instruksione se si duhet të shkojë plani i vrasjes. Dhe thotë se nëse e kapim policia, unë të nxjerr nga burgu sepse kam njohësi. Ndërsa Naimi deklaron kështu: Kam qenë keq mentalisht kur Liridona e ka kuptuar tradhtinë që unë ia kam bërë. Naimi thotë, Granitin nuk e njoh, Kushtrimi më ka njoftuar me të. Naimi thotë, me Kushtrimin kam qenë gjatë gjithë kohës sepse m'i ka ditur hallet e mia”, tha ai. Ademaj tha se nga trupi gjykues nuk kërkojnë ngjalljen e motrës së tyre Liridona Ademaj por vetëm drejtësi. “Që nga viti 2010 e deri në vitin 2026, janë vrarë 59 gra. Pra, për 16 vite janë vrarë 59 gra. Të gjitha këto familje që janë prekur nga kjo dukuri, e së fundmi edhe ne, asnjëra nga këto nuk kemi kërkuar ngjalljen e personave të vrarë. Por kemi kërkuar drejtësi, atë për të cilën edhe na takon”, tha ai. Leonard Ademaj para trupit gjykues tha se pa Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën nuk do të ndodhte vrasja e Liridona Ademaj. “Kuptohet se kush e gjeti vrasësin dhe kush e organizoi krimin. Por këtu është më se e qartë se Naimi ka kërkuar me e vra Liridonën përmes Kushtrimit. Ky i fundit nuk pranoi ta rrezikojë veten direkt dhe e gjeti Granitin si vrasës. Pra skema fillon kështu. Pa Naimin, nuk ka Kushtrim. Pa Kushtrimin, nuk ka Granit, dhe pa Granitin, nuk do të kishte vrasje”, tha ai. Gjatë fjalës së tij përfundimtare vëllai i Liridona Ademaj tha se krimi që është bërë duhet të dënohet fuqishëm që fëmijët e Liridonës dhe ata si familje të jenë sadopak të lehtësuar nga dhimbja. “Duhet ta dimë të gjithë se këtë proces në të ardhmen do ta shohin edhe fëmijët e Liridonës. Ata do të rriten me mallin për nënën e tyre. E në të njëjtën kohë do të kërkojnë drejtësi për të. Kur ta shohin këtë proces, do ta kuptojnë që nuk kanë nevojë të brengosen. Sepse dikush i drejtë e i ndërgjegjshëm atë drejtësi e ka dhënë në vendimin e gjykatës. Ne këtu duhet t'i japim mesazhe të qarta edhe atyre, se drejtësia për nënën e tyre ka shkuar në vend.… Pas më shumë se tetë muajve pas vrasjes së Liridonës, ishte takimi i parë që e kisha unë me ta, sepse nuk kishim qasje në shtetin suedez. Ne nuk e dinim se si e kanë përjetuar ata këtë vepër të babait të tyre. Pasi u takuam me fëmijët, mësuam se fëmijët ishin kundër babait të tyre dhe se sot kur po flasim, që po bëhen gati tre vite, akoma fëmijët nuk pranojnë të flasin me babanë e tyre. Krimi që është bërë duhet të dënohet fuqishëm, që fëmijët e Liridonës dhe ne si familje të jemi sadopak të lehtësuar nga dhimbja që kemi përjetuar. Kështu besoj u jepet mundësia sa më shpejt të na bashkohen edhe fëmijët e Liridonës”, tha ai. Burgim të përjetshëm për tre të akuzuarit për vrajën e Liridona Ademaj ka kërkuar sot edhe prokurorja e rastit, Javorka Perlincceviq. /Kp/

Go to News Site