Telegrafi
Trajneri i Real Madrid, Alvaro Arbeloa ka marrë mbi vete gjithë fajin për atë që pritet të jetë sezoni i dytë pa trofe i klubit në pesë vitet e fundit – ndërsa presidenti Florentino Perez duket se është i gatshëm ta përdorë spanjollin si “kokë turku”. Klubi me 15 trofe të Ligës së Kampionëve arriti një pikë të ulët në sezonin 2024–25, pasi dështoi të fitojë një trofe madhor vetëm një vit pasi dominoi Spanjën dhe Evropën. Carlo Ancelotti e pagoi me largim këtë dështim dhe më pak se 12 muaj më vonë, historia po përsëritet në “Santiago Bernabeu”. Madje, në letër, ky sezon është edhe më i dobët. Zero trofe, nëntë pikë prapa Barcelonës, disa skandale të mëdha dhe shkarkimi i Xabi Alonso e kthyen atë që duhej të ishte një rikthim i fuqishëm në një makth të vërtetë. Si zakonisht te Real Madridi, trajneri është i pari që mban përgjegjësi. Arbeloa po e mëson këtë në mënyrën më të vështirë, ndërsa koha e tij në krye të klubit më të madh në botë po i afrohet fundit të pashmangshëm. Raportimet tregojnë se drejtuesit tashmë po kërkojnë një zëvendësues të madh, me ish-trajnerin e Liverpoolit, Jurgen Klopp, që vazhdon të lidhet me një rikthim të bujshëm në stol. Megjithatë, Arbeloa vështirë se mund të fajësohet për një skuadër të pabalancuar dhe joefikase – një skuadër e ndërtuar nga vetë Perez. Strategjia e transferimeve të Florentino Perez duket e dështuar Problemet filluan që në merkato. Real Madridi kishte dy nevoja të qarta: zëvendësimin e Toni Kroos dhe përforcime në mbrojtje. Por çfarë bëri klubi? Transferoi Kylian Mbappe. Sezoni shkoi pikërisht siç pritej, pasi u injoruan nevojat kryesore. Mesfusha shpesh nuk arrinte të kontrollonte lojën ndaj kundërshtarëve të fortë, ndërsa mbrojtja u dobësua edhe më shumë nga lëndimet. Në verë, situata nuk ndryshoi shumë. Luka Modric u largua, pa u gjetur një zëvendësues i denjë për të apo për Kroos. Edhe pse Xabi Alonso thuhet se dëshironte ta mbante kroatin, klubi vendosi të ndiqte një drejtim tjetër – më të ri në moshë. Real Madridi përforcoi mbrojtjen me Dean Huijsen, Alvaro Carreras dhe Trent Alexander-Arnold, si dhe shtoi talentin ofensiv Franco Mastantuono. Megjithatë, vetëm Alexander-Arnold nisi nga minuta e parë në ndeshjen më të madhe të sezonit ndaj Bayern Munich në “Allianz Arena”. Pavarësisht kësaj, skuadra arriti të jetë konkurruese ndaj ekipit të drejtuar nga Vincent Kompany, kryesisht falë guximit të Arbeloas për të lënë në stol disa lojtarë në formë të dobët. Arbeloa bashkoi një skuadër të thyer Përveç problemeve taktike, Arbeloa trashëgoi edhe një dhomë zhveshjeje të përçarë. Në fundin e epokës së Xabi Alonso, tensionet ishin në kulm, me Vinicius Junior që udhëhiqte pakënaqësitë ndaj trajnerit. Perez vendosi të mbështesë brazilianin dhe shkarkoi Alonson pas vetëm 233 ditësh. Arbeloa mori kështu një skuadër me yje dhe ego të mëdha, të cilat shpesh diktojnë fatin e Real Madridit. Megjithatë, ai arriti të fitojë besimin e lojtarëve dhe rezultatet filluan të përmirësoheshin. Real Madridi humbi vetëm dy nga 10 ndeshjet e para në La Liga nën drejtimin e tij dhe kaloi Benfica dhe Manchester City në fazën me eliminim direkt të Ligës së Kampionëve. Skuadra dukej më e bashkuar dhe Vinicius ishte rikthyer në formë të shkëlqyer, me 13 kontribute në gola në 16 paraqitje nën Arbeloan. Por problemet e vjetra u rikthyen. Prania e Mbappes e bëri sulmin më të parashikueshëm, mungonte një organizator në mesfushë dhe lëndimet, si ai i Thibaut Courtois, ndikuan shumë. Në këto kushte, ëndrra për trofe u shua. Edhe trajneri më i mirë në botë do ta kishte të vështirë ta ndryshonte këtë situatë – dhe shembulli ishte sezoni i kaluar me Ancelottin. Shanset e dyta kanë ardhur vetëm për dy trajnerë në historinë e Real Madridit Në shumicën e klubeve në Evropë, Arbeloa do të kishte një tjetër shans. Por jo te Real Madridi. Perez historikisht u jep mundësi të dyta vetëm Zinedine Zidane dhe Ancelottit. “Ia ndjej keq Arbeloas dhe shumë lojtarëve të Real Madridit”, tha Steven Gerrard pas humbjes 4-3 ndaj Bayern Munich. “Duhet t’u vijë keq për ta dhe ai ndoshta do ta humbasë punën. Por nuk mendoj se e meriton këtë, duke parë atë ndeshje.” Edhe Steve McManaman ndau të njëjtin mendim. “Historia na ka treguar gjithmonë se në këto raste ndryshohet trajneri dhe më vjen keq për Arbeloan, sepse plani i tij i lojës ishte i shkëlqyer”. Pavarësisht nëse e meriton apo jo shkarkimin, në Real Madrid gjithmonë duhet një “sakrificë”. Dhe këtë herë, gjithçka tregon se ajo do të jetë Alvaro Arbeloa – ndërsa Florentino Perez mbetet i paprekur, pavarësisht rolit të tij në ndërtimin e një skuadre që ka dështuar vazhdimisht në dy vitet e fundit./ Telegrafi/
Go to News Site