Telegrafi
Ish-mbrojtësi italian Leonardo Bonucci ka komentuar situatën e futbollit italian pas një tjetër zhgënjimi të madh, me Italinë që dështoi të kualifikohej në Kupën e Botës për herë të tretë radhazi. Bonucci theksoi se është thelbësore të nisë një proces rindërtimi “nga themelet”, ndërsa hodhi edhe disa ide interesante sa i përket emrave të mëdhenj në bankinat e klubeve dhe të kombëtares. “Gjëja e rëndësishme është të rindërtojmë futbollin italian nga themelet, duke filluar nga mbrojtja. Duhet të kemi guximin të shohim se çfarë po ndodh, në mënyrë që të rifitojmë respektin e të gjithë botës”, u shpreh Bonucci gjatë javës së Çmimeve Laureus. Ai theksoi se Italia ka lojtarë të rinj me talent, por sipas tij duhet durim dhe kohë që ata të rriten e të stabilizohen në nivelet më të larta. “Ka lojtarë të rinj me shumë talent; duhet t’i lëmë të qetësohen dhe të rriten. Formula e vetme magjike është koha”, shtoi Bonucci. Nëse Italia synon një ndryshim të thellë, Bonucci beson se njeriu i duhur do të ishte Pep Guardiola, të cilin e sheh si trajnerin që mund të sjellë “ndryshim rrënjësor” te katër herë kampionët e botës. “Nëse duam një ndryshim rrënjësor, njeriu i duhur është Pep. Është e vështirë, por të ëndërrosh është falas”, deklaroi ai. Ndërkohë, Bonucci foli edhe për Real Madridin, duke e përmendur ish-trajnerin e tij te Juventusi, Massimiliano Allegri, si një kandidat që do të përshtatej mirë në “Santiago Bernabeu”. “E shoh si zgjedhje të mirë për Madridin. Ai më kujton Ancelottin: u jep lojtarëve liri, është menaxher i mirë dhe e kupton presionin që vjen me veshjen e fanellës së Madridit. Nëse Ancelotti bëri mirë, nuk e di pse Allegri nuk mundet”, tha Bonucci. Në fund, Bonucci preku edhe temën e Xabi Alonsos, duke pranuar se kalimi në Madrid kërkon përshtatje dhe nuk është i lehtë për askënd. “Nuk e di çfarë ndodhi… kur shkon në Madrid duhet të përshtatesh, nuk është e lehtë. Madridi është klub i shkëlqyer dhe nuk kam dyshim se vitin tjetër do të luftojnë sërish për gjithçka”, përfundoi ai. /Telegrafi/
Go to News Site