Telegrafi
Sekretari amerikan i Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr. deklaroi se presidenti amerikan, Donald Trump përdor një “mënyrë tjetër” për llogaritjen e përqindjeve. Me këto fjalë ai u përpoq të shpjegojë pretendimet e presidentit për ulje drastike të çmimeve të barnave me recetë, të cilat bien ndesh me bazat e matematikës. Duke folur në një seancë dëgjimore në Senat, Kennedy tha se Trump e sheh si sukses platformën “TrumpRx” – një shërbim qeveritar që duhet t’u mundësojë amerikanëve zbritje në barnat e markës. Sipas Kennedyt, kur Trump thotë se çmimi i një ilaçi ka rënë nga 600 dollarë në vetëm 10 dollarë, ai e përshkruan këtë si “ulje prej 600 për qind”, shkruan newyorktimes . Kennedy, i cili u paraqit në mëngjesin e djeshëm para Komitetit të Financave të Senatit, arsyetoi me qetësi logjikën e tij “presidenti Trump ka një mënyrë tjetër llogaritjeje. Ka dy mënyra për të llogaritur përqindjet. Nëse ke një ilaç që kushton 600 dollarë dhe ia ul çmimin në 10 dollarë, kjo është ulje prej 600 për qind”. Megjithatë, ministri pranoi se matematika e Trumpit largohet nga llogaritjet standarde – në realitet, të vetmet që janë të sakta. Senatorja demokrate Elizabeth Warren nga Massachusetts e hodhi menjëherë poshtë këtë teori. Ajo theksoi se sipas matematikës së saktë, një rënie e tillë e çmimit do të ishte rreth 98 për qind. Warren paralajmëroi se përdorimi i shifrave të fryra mund t’i mashtrojë pacientët për kursimet reale dhe kërkoi nga administrata të sqarojë mënyrën se si këto pretendime i komunikohen publikut. “Sipas kësaj logjike, mendoj se kompanitë farmaceutike duhet t’u paguajnë pacientëve që të marrin ilaçet e tyre”, tha me ironi Warren duke komentuar “600 për qindshin e Trumpit”. Ndryshe, Trump po e promovon fuqishëm iniciativën “TrumpRx” si një hap historik në uljen e kostove të shëndetësisë, duke u mburrur shpesh me ulje të paprecedentë të çmimeve. Thelbi i programit është një faqe interneti që i drejton pacientët drejt zbritjeve të negociuara me prodhuesit e barnave, sipas parimit të “kombit më të favorizuar”. Qëllimi është që çmimet në SHBA të përafrohen me ato më të ulëtat në vendet e tjera të zhvilluara. Administrata thotë se programi u mundëson konsumatorëve, veçanërisht atyre që paguajnë me para në dorë ose nuk kanë sigurim të mirë shëndetësor, qasje në barna të shtrenjta me çmime dukshëm më të ulëta, pa përdorur policat e sigurimit. /Telegrafi/
Go to News Site