Telegrafi
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, i është drejtuar me letër zyrtare kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Arian Gashi, dhe anëtarëve të këtij institucioni, duke kërkuar veprime të menjëhershme për hapjen e konkursit për pozitën e kryeprokurorit të Shtetit. Në letrën e saj që e ka siguruar Telegrafi, Haxhiu ka falënderuar KPK-në për bashkëpunimin institucional dhe ka theksuar nevojën për angazhim më të madh dhe koordinim më të mirë, në funksion të forcimit të sundimit të ligjit. Sipas Haxhiut, për Zyrën e Presidentes procesi i përzgjedhjes së kryeprokurorit konsiderohet i përmbyllur. “Për rrjedhojë, hapja e konkursit për këtë pozitë nuk duhet të vonohet më tej. Është obligim institucional që ky proces të iniciohet pa vonesë dhe të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet më të larta të profesionalizmit, transparencës dhe integritetit”, thuhet në letër. Haxhiu ka kërkuar që procesi i përzgjedhjes të jetë i hapur, gjithëpërfshirës dhe i bazuar në kritere të qarta profesionale dhe etike, në mënyrë që të garantohet besimi i publikut në rezultat./Telegrafi/
Go to News Site