Collector
Rritet interesimi për dhurim të gjakut | Collector
Rritet interesimi për dhurim të gjakut
Telegrafi

Rritet interesimi për dhurim të gjakut

Rezervat e gjakut mbeten jetike për trajtimin e shumë pacientëve, ndërsa aksionet e dhurimit po shtohen në gjithë vendin. Kësaj nisme i është bashkuar edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, duke kontribuar me dhurues vullnetarë dhe duke inkurajuar qytetarët që të japin kontributin e tyre në shpëtimin e jetëve. Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës ekzekutive të Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut (QKKTGJ), Albana Beslimi-Krasniqi, thotë se rezervat e gjakut janë thelbësore për funksionimin normal të shërbimeve shëndetësore. “Shembulli i dhurimit të gjakut nga pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës shërben edhe si një shembull shumë pozitiv që ndikon edhe në ngritjen e vetëdijes, mund të them kolektive, për rëndësinë e dhurimit vullnetar të gjakut. Edhe me rritjen e numrit të pjesëtarëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës, natyrisht vërehet edhe rritja e numrit të dhurimeve të përgjithshme në Forcën e Sigurisë së Kosovës”, tha Albana Beslimi-Krasniqi. Ajo nënvizon se përkundër stabilitetit aktual, kërkesat për gjak ndryshojnë vazhdimisht. “Për momentin rezervat e produkteve të gjakut janë stabile, mirëpo këto kërkesat janë dinamike, domethënë mungesat e grupeve ose rezervave janë dinamike dhe varen nga kërkesat për gjak dhe produkte të gjakut që bëhen nga klinikat në të cilat trajtohen pacientët. Në numër më të pakët janë grupet e gjakut me Rh negativ, për shkak se edhe përqindja e dhuruesve në popullatë është më e vogël”, shtoi ajo. Një prej dhuruesve të rregullt të gjakut thotë se ky akt i vogël për të ka një ndikim të madh për pacientët në nevojë. “Jam dhurues i gjakut moti, qysh moti. Domethënë bëhet fjalë edhe para luftës, qysh prej vitit '86 kam filluar për herë të parë dhurimin e gjakut. Kam 40 deri në mbi 40 herë dhurim gjakut para luftës, ndërsa qysh nga 2011-ta e këtej jam edhe një prej grupeve organizatore për dhurimin e gjakut”, tha Fatmir Gërguri, dhurues i gjakut. Përfaqësuesit shëndetësorë apelojnë që dhurimi i gjakut të mos mbetet vetëm një akt i rastësishëm, por të kthehet në një praktikë të rregullt solidariteti për shpëtimin e jetëve./RTK

Go to News Site