Telegrafi
Vargje kushtuar figurës madhore të mendimit dhe kulturës shqiptare, ku fjala poetike shndërrohet në kujtesë, nderim dhe përjetësi Ndarja nga jeta e akademikut Rexhep Qosja ka prekur thellë mbarë hapësirën shqiptare, duke nxitur reagime të shumta nga qarqet akademike, letrare, artistike dhe publike. Humbja e tij shihet si largimi i një prej figurave më qendrore të letërsisë, kritikës dhe mendimit kombëtar shqiptar, një personalitet që me veprën dhe qëndrimet e tij ndikoi fuqishëm në jetën kulturore dhe intelektuale të shqiptarëve. Kantautori i mirënjohur Ilir Shaqiri ka zgjedhur artin si formë nderimi dhe përmes poezisë “Vuthaj” sjell një homazh të ndjerë me ngarkesë të lartë simbolike. Kjo poezi tejkalon kufijtë e elegjisë së zakonshme dhe shndërrohet në një akt kujtese kolektive për figurën e akademikut. Në vargjet e saj, vendlindja, natyra, historia dhe kujtesa ndërthuren në mënyrë organike. Vuthaj paraqitet jo vetëm si hapësirë gjeografike, por si truall shpirtëror ku lindin urtësia, qëndresa dhe vizioni. Përmes figurave poetike si “gurët flasin me gurra” dhe “majëmalet me burra”, autori e lidh figurën e Rexhep Qosja me madhështinë e natyrës dhe me frymën historike të maleve shqiptare. Një nga kulmet semantike të poezisë është vargu: “Po shkruan Rexha..., mbi lëkurën e dheut që dridhet!”, ku akti krijues paraqitet si forcë që prek historinë dhe ndërgjegjen kombëtare. Po aq domethënës është edhe motivi i “metrikës së ecjeve tona”, përmes të cilit Rexhep Qosja shfaqet si orientues i rrugëtimit kulturor e kombëtar. Përmes gjuhës së pasur figurative dhe ndjeshmërisë artistike, kantautori Ilir Shaqiri sjell bindjen se figura të tilla nuk largohen kurrë. Ato mbeten të gjalla në vepër, në kujtesë dhe në ndërgjegjen historike të kombit. VUTHAJ Lidhur me retë - puthur nga lulet! Aty ku gurët flasin me gurra, majëmalet me burra! Aty ku toka nektarin nga fara, e dielli përkulet mbi jastëkët e borës, mbi djepësit e vet, përthinje yjesh varreve të bardha! Hëna pehatet në barkun e natës... Më e bukura balerinë e përbujtur luginës... E përnatshmja jetësore me sytë e diellit lëvaret dritareve, përhiron mollët e vajzave, përsysh perishanet e nuseve. Moshëthyer i duket vetja tek përralliset pellgoreve duke pirë ujë në kërthizën e lumit, nënkresë i bëhen brigjet, e pagjumë veshtinë! Tepër e bukur për t’i besuar të gjallët më të gjallë se jeta tek nanurisin porosinë: Ndiq të parët - të mbarët, gjatësisht e gjatë, margjënor ballëlart! Trofetë qiellzojnë bukurinë me kënaqësinë e dhimbjes! Viganor - pallëlarë, ves ballnik e virtyt ballaballë! Ata që jemi ne rri atje ku plaket bora, atje ku zanat vekojnë nusërinë, andej nga shkojnë furtunat e malet rrinë! Fol, o Mal, më bardh se bora jote nëna e kishte zemrën edhe shaminë! Vuthaj - valomë kujtese mes kataraktesh paratrojane. Aty muza të merr për dore në sheshin e shijeve ndryshore, ku gëzimi i dorëzohet guximit e mendjet sundon e vërteta! Aty ku tridhjetë e gjashtë germa dihasin nga dritëhedhja e situr me gjashtë sita +, nën kërcitjen e gishtërinjve si arra të forta ormisjeve të pafundme... Çejz mbi krahët e fluturave ku përhimnohet e bukura! Sakaq, ndrydhen retë, të vetmet që nuk u marrin leje maleve, argalisur derdhin urdhrin e ripërtëritjes mbi gjethet pëllëmbore, prelud i 1001 harkorëve vjenezë mbi qilim - shpirtin e pambuluar të luginës! Vals veror për afshzjarrtët që duan shi dhe pak ormi! Psherëtimat e pleqve ngrohen pranë vatrës... Kohë për t’i kujtuar ato që kemi thënë, ato që po themi sot, domethënien dhe domosdonë e tyre. E nesërmja duhet të na gjejë pa gabime! Osmozë bore për orëmirët e historisë, që lajnë sytë te krojet e bardha, tek kuvendojnë, këndojnë e vuthzojnë ëndshëm nën tingujt e prushtë ajërflladitës. Suitë valëzimi, Kantatë e maleve, Simfoni e livadheve, Baladë e të rënëve, Vajazan i të gjallëve! Vuthaj - vatër që ngroh fatet për rrugëgjatët... Aty saktësohet metrika e ecjeve tona! Aritmetikë përpjesëtimesh hapmëdha për ata që shtohen e mezi bashkohen. Qartësisht e qartë qëndisen në kartë ata që ishin, ata që janë, ata që do të vijnë, ata që mbi jetën patën, kanë dhe do ta kenë Shqipërinë! Zëlartët mrizojnë puhishëm... ... qetësi...!? Po shkruan Rexha..., mbi lëkurën e dheut që dridhet! Lidhur me retë, puthur nga lulet... Vuthaj - behar i urtësisë, ku dielli përkulet! /Telegrafi/
Go to News Site