Telegrafi
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se është nënshkruar marrëveshja për rindërtimin e Xhamisë së Ibrit, e cila u dogj gjatë luftës. Kurti bëri të ditur se sot, së bashku me Myftiun Naim Tërnava, kryeimamin Vedat Sahiti dhe ministren Saranda Bogujevci, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për hartimin dhe zbatimin e projektit të rekonstruktimit të kësaj xhamie. “Sot, së bashku me Myftiun Naim Tërnava, kryeimamin Vedat Sahiti dhe ministren Saranda Bogujevci, nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit për hartimin dhe zbatimin e projektit të rekonstruktimit të saj. Me këtë memorandum, Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet ringritjen e këtij monumenti me rëndësi historike dhe kulturore”, ka njoftuar Kurti. Ai ka shtuar se është nënshkruar edhe një memorandum tjetër bashkëpunimi me Bashkësinë Islame të Kosovës, i cili synon forcimin e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore islame. Sipas Kurtit, këto angazhime janë pjesë e përkushtimit për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vend, pas dëmeve të shkaktuara gjatë luftës së viteve 1998–1999, derisa theksoi se investimet do të vazhdojnë edhe në vitet në vijim. Xhamia e Ibrit është ndërtuar në vitin 1777, ndërsa është djegur më 2 maj 1999.
Go to News Site